Telegrafi

Pavarësisht që të gjithë obligohen të bartin maska në ambiente të mbyllura, Biden dhe Jill shihen pa to në një restorant

Duket se presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill të shtunën nuk kanë respektuar masat anti-COVID që nënkupton bartjen e maskës, pasi një video e publikuar shfaq momentin kur dyshja kalojnë nëpër një restorant në Washington pa maska.

Videoja e publikuar nëpër rrjete sociale shfaq presidentin amerikan pa maskë në një restorant italian, derisa shoqërohej nga agjentët e Shërbimit Sekret, transmeton Telegrafi.

E në pamje tjera shihen Biden dhe Jill duke u larguar nga restoranti – gjithashtu pa maskë. E sipas ueb-faqes së këtij restoranti, të gjithë klientët duhet të bartin maska – përveç kur janë duke ngrënë.

Sipas instruksioneve të CDC-së dhe kryetares së Washington DC, Muriel Bowser, të gjithë personat mbi 2-vjeç duhet të bartin maskë në ambiente të mbyllura, pavarësisht statusit të vaksinimit.

“Maskat gjithmonë duhet t’i bartnin nëpër restorante, përveç se kur jeni duke ngrënë apo pirë. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet ndër tjera. /Telegrafi/