Ndonëse Qeveria e Kosovës ende nuk ka saktësuar se kur do ta procedojë sërish në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, opozita po bëhet gati për rrëzim të kësaj marrëveshje.
Opozita sërish ka paralajmëruar rikthim të tensioneve brenda dhe jashtë Kuvendit, nëse Demarkacioni kthehet në Kuvend.
Edhe përkundër këtyre paralajmërimeve nga opozita, analistët mendojnë se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi duhet të shkojë në Kuvend.
Analisti Halil Matoshi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se edhe nëse nuk miratohet Demarkacioni, Kuvendi i Kosovës duhet t’i hap rrugëzgjidhje këtij obligimi shtetëror.
“Çështja e ratifikimit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi – sipas marrëveshjes së shtatorit 2015 – duhet gjithqysh të shkojë në Kuvend dhe më në fund të miratohet ose jo – pra edhe nëse nuk miratohet, Kuvendi i Kosovës duhet t’i hap rrugëzgjidhje këtij obligimi shtetëror”, tha Matoshi.
Matoshi ka përmendur tri opsione që sipas tij do të ishin zgjidhje e duhur për këtë çështje.
“Krijimi i një komisioni të ri, ku do të përfshihet opozita dhe shoqëria civile e bota akademike për rishqyrtimin dhe korrektimin e gabimeve eventuale, në rast se pala malaziase bie dakord; Shpallja ‘nul’ e marrëveshjes dhe rinegociim i tërë procesit me Podgoricën zyrtare; Arbitrazh ndërkombëtar”, u shpreh Matoshi.
Ai më tej theksoi se është e padrejtë që qytetarët kosovarë të mbeten pengje të përplasjeve mes spektrit politik për çështje të interesit vital kombëtar të Kosovës, kur kihet parasysh fakti se përmbyllja e procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është një nga kriteret themelore për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Opozita deri më tani nuk ka bërë të ditur metodat që do të përdorin për rrëzimin e marrëveshjes së Demarkacionit, mirëpo sipas analistit Matoshi, rikthimi i gazit lotsjellës nuk ka çfarë kërkon në një demokraci.
“Mjaftë më gjendjes kur grupe politike (shpesh edhe minore?) mbajnë peng të sotmen dhe të ardhmen e atdheut të kosovarëve për hir të kapjes – përkatësisht mbajtjes – së pushtetit politik pa asnjë alternativë zhvillimore, pos e mbështetur vetëm në narrative kinse patriotike e atdhetare që në thelb janë tendenca përfituese”, tha Matoshi për Telegrafin.
Sipas tij, nëse Kuvendi i Kosovës nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje – me ratifikim – vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Matoshi tutje theksoi se nëse vendi shkon në zgjedhje atëherë është e mundur që ndonjë konstelacion i ri forcash politike në vend, ta adresojë këtë problem në mënyrë adekuate për t’ia shpëtuar fytyrën shtetit dhe për t’i çliruar qytetarët nga ky makth i madh e për t’i nxjerrë nga getoja ku i ka katandisur klasa aktuale politike!
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në një konferencë për media deklaroi se Demarkacioni duhet të kalojë sa më shpejt.
Ndryshe, Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, të martën publikoi draft-raportin e parë rreth gjetjeve të Demarkacionit, ku ka konstatuar se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës./Telegrafi/