Site icon Telegrafi

Pavarësisht pandemisë COVID-19, në Kosovë rritet kërkesa për kredi për blerjen e shtëpive

Lehtësimi i masave kufizuese nga pandemia COVID-19, dërgesat dhe vizitat e diasporës në Kosovës, si dhe ri aktivizimi deri në një masë i aktivitetit ekonomik u reflektuan në rritje të theksuar të kërkesës për kredi gjatë vitit 2020, veçanërisht gjatë tremujorit të katërt.

Kështu thuhet në raportin “Anketa e kreditimit bankar, numër 6”, të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës, shkruan Telegrafi.

Sipas anketës, gjatë këtij tremujori, kërkesa më e madhe ishte për blerjen shtëpive.

“Bankat raportuan për rritje më të lartë të kërkesës për kreditë për blerjen e shtëpive se sa për kreditë konsumuese. Kërkesa për kredi për blerjen e shtëpive kishte një indeks pozitiv prej 0.50, ndërsa për kreditë konsumuese kishte indeks pozitiv prej 0.36. Nëse krahasojmë rezultatet aktuale të kërkesës për kredi me pritjet e bankave të deklaruara në anketën e kaluar për të njëjtën periudhë, niveli aktual i rritjes së kërkesës është dukshëm më i lartë. Për më tepër vlera aktuale e kërkesës për kreditë për blerjen e shtëpive është pothuaj dy herë më e lartë se sa që ishin pritjet e deklaruar nga bankat”, thuhet në anketë.

BQK thotë se kjo rritje u ndikua pozitivisht nga perspektiva e favorshme e tregut të patundshmërive.

“Kjo rritje u ndikua pozitivisht nga pothuajse të gjithë faktorët e listuar në anketë, mirëpo faktori me ndikimin më të lartë ishte perspektiva e favorshme e tregut të patundshmërive me indeks pozitiv prej 0.31, pasuar nga rritja e konfidencës së konsumatorëve dhe nevoja për financim të konsumit me indeks pozitiv prej 0.27, respektivisht 0.18”, thotë BQK, përcjell Telegrafi.

Ndryshimet në standardet kreditore të aplikuara për ekonomitë familjare | Burimi: BQK

Raporti thekson se në tremujorin e parë të vitit 2021, për ekonomitë familjare, bankat komerciale në Kosovë presin rritje të kërkesës për kredi.

“Në tremujorin e parë të vitit 2021, bankat presin rritje të kërkesës për kredi deri në një masë për ekonomitë familjare, mirëpo në nivel dukshëm më të ulët se sa rritja në tremujorin aktual. Bankat deklaruan se presin rritje të kërkesës për kredi për blerjen e shtëpive me indeks pozitiv prej 0.32, përderisa kërkesa për kredi konsumuese pritet të mos ketë ndryshime të rëndësishme. Rezultatet e anketës sugjerojnë se bankat ia atribuuan këto pritje rritjes së konfidencës së konsumatorëve dhe rritjes së kërkesës për financim të shpenzimeve tjera”, thekson raporti.

Për sa i përket financimit kreditor për bizneset, bankat në tremujorin e katërt deklaruan rritje pozitive.

“Në kuadër të kredive për ndërmarrjet, bankat deklaruan indeks pozitiv prej 0.12 për ndryshimet në standardet kreditore për NVM-të, dhe indeks pozitiv më të ulët prej 0.10 për ndërmarrjet e mëdha. Në këtë lehtësim ndikuan përgjigjet e një banke me rëndësi sistematike dhe një banke me peshë më të ulët të cilat lehtësuan standardet kreditore për të dy kategoritë e ndërmarrjeve. Kërkesa për kredi nga NVM-të u rrit me një indeks pozitiv prej 0.19, përderisa kërkesa nga ndërmarrjet e mëdha kishte një indeks negativ marxhinal prej 0.07”, thuhet në anketë, përcjell Telegrafi.

Ndryshimet në standardet kreditore të aplikuara për ekonomitë familjare | Burimi: BQK

Mbështetja e bizneseve në kreditim nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) thuhet se ka pasur rol kryesor në lehtësimin e standardeve kreditore.

“Rol kryesor në lehtësimin e standardeve kreditore të aplikuara nga bankat në tremujorin e katërt 2020, rezulton të kenë luajtur mbështetja e ndërmarrjeve në kreditim nga FKGK, përmirësimi i perspektivës në tregjet botërore, si dhe lehtësimet rregullative për menaxhimin e efekteve të pandemisë, si ristrukturimi i kredive për shkak të pandemisë COVID-19. Në linjë me ofertën e lehtësuar, norma e aprovimit të kredive për ndërmarrjet shënoi rritje të dukshme në këtë periudhë, e veçanërisht për NVM-të”, tregon raporti.

Sipas anketës, rritja e kërkesës për kredi nga NVM-të kryesisht u ndikua nga rritja e kërkesës për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues me një indeks pozitiv prej 0.19. Përderisa, kërkesa për financimin e investimeve fikse kontribuoi negativisht në kërkesën për kredi me indeks negativ prej 0.28, e që mund t’i atribuohet rënies së kërkesës nga kategoria e ndërmarrjeve të mëdha.

Gjatë tremujorit të parë 2021, bankat komerciale presin që raporti i kredive jo-performuese të përkeqësohet me një indeks prej 0.16.

Bazuar në ecurinë e kreditimit gjatë vitit 2020 dhe zhvillimet me situatën pandemike, BQK thotë se bankat komerciale kanë deklaruar se në përgjithësi presin rritje më të lartë të kreditimit se në vitin 2020, mirëpo në nivel më të ulët në krahasim me vitet paraprake. /Telegrafi/

Exit mobile version