Koalicioni PAN nuk do ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se Kadri Veseli nuk po përkrahet nga shumica e ligjvënësve, përkatësisht nga deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të koalicionit LAA.
Deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, njëherësh kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të vendit, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës (të enjten e kaluar) ka ftuar koalicionin PAN që të dalë me emrin e një kandidati tjetër për kryeparlamentar, pasi që, sipas tij, Veseli nuk po arrin t’i sigurojë së paku 61 vota të deputetëve, shkruan tutje “Zëri”.
Por ish-nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili njëherësh është deputet i PDK-së në Kuvend, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se janë të vendosur që të vazhdojnë me kandidaturën e Veselit.
“Ne kemi vendosur për një kandidat për kryeparlamentar dhe nuk do ta ndërrojmë”, ka thënë Haliti, duke shtuar se tashmë kanë filluar bisedimet politike për t’i siguruar së paku 61 vota në Kuvend. /Zëri/