Duke folur për bashkëpunimin midis dy shteteve, Sejdiu tha se fakti që Kosova dhe Bullgaria janë shumë afër fizikisht, mundëson lëvizjet e qytetarëve dhe bashkëpunimin e bizneseve. Ai theksoi se Kosova ka ende probleme ekonomike dhe sociale, por është e përkushtuar për t’i tejkaluar sa më parë ato.
Presidenti i vendit e bëri të qartë se Kosova nuk ka vizion tjetër pos integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ndërkohë, duke folur, për përkrahjen e mëtutjeshme që Bullgaria i ofron Kosovës, ministri i Jashtëm bullgar, rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Mbështetja e Bullgarisë për Kosovën është shumë e sinqertë dhe si e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Po ashtu, ne mbështesim fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe nuk mund ta kthejmë kohën prapa, me këtë mesazh flasim kudo në rajon”, tha ministri Mladenov.
Ai më tej tha se Bullgaria ka mundësi të mëdha të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe kulturor me Kosovën dhe se këto mundësi duhet të shfrytëzohen. “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë thellimin e bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që të bëhet integrimi i rajonit”, tha Mladenov. /Telegrafi/