Benjamin Pavard është futbollisti i ri i kampionëve të shumëfishtë të Gjermanisë, Bayern Munich.
Gjiganti gjerman arriti t’i siguronte shërbimet e mbrojtësit francez edhe pse shumë skuadra ishin të interesuara për të.
Për transferimin e reprezentuesit francez, Bayern pagoi 35 milionë euro te Stuttgarti, ndërsa Pavard do të jetë nën urdhrat e Niko Kovac që nga 1 korriku.
Ka qenë vetë francezi që ka folur për transferimin e tij në Munich.
“Kishte shumë klube të interesuara, por kur erdhi oferta e Bayernit mu desh të mendoja një sekondë. Po më kërkon klubi më i madh në botë dhe vendosa që të nënshkruajë për të vazhduar historinë me këtë klub”, tha Pavard.
Francezi ka thënë se nuk iu bashkua Bayernit vetëm shkaku i parave.
“Ndryshimi nga Stuttgarti në Bayern nuk ka ndodhur vetëm shkaku i parave. E dua Gjermaninë, mentalitetin këtu dhe Bundesligën. Kjo është arsyeja që unë zgjodha të luaja te Bayernit dhe jo në ndonjë klub e kampionat tjetër”, u shpreh Pavard.
22-vjeçari krejt në fund tha se dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve me Bayernin. /Telegrafi/