Telegrafi

Paulson: Do të ketë falimentime të reja

Ai tha se ato janë të rrezikuara pavarësisht nga paketa 700 miliardë dollarëshe e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë sektorit financiar.

"Edhe me masat e reja te autoriteteve te thesarit, disa institucione financiare do të falimentojnë. Akti i Emergjencës së Stabilizimit Ekonomik nuk ka si objektiv qe të shpëtojë çdo institucion financiar thjesht për hir të shpëtimit të tij".

"Aspekti i dytë i strategjisë sonë ka të bëjë me zbutjen e problemeve në tregjet financiare në rastin e falimentimit të një banke", tha Sekretari amerikan i Thesarit.

Ai bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të planit të miratuar nga Kongresi.

Paulson tha se kriza financiare nuk do të përfundonte shpejt dhe se ende mbeteshin sfida të forta.

Paralajmërime të ngjashme ka dhënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Megjithatë, krye-ekonomisti i FMN-se, Oliver Blanchard, tha se është ende herët të flitet për recesion.

"Pozicioni ynë është se nuk është e dobishme që të përdorim termin recesion në një kohë kur ritmet mesatare të rritjes në botë janë 3%. Pavarësisht nga kjo, 3% është një shifër shumë e ulët e rritjes ekonomike botërore dhe në te kaluarën kjo mund të ketë qenë në kufijtë e recesionit global".