Skenaristi dhe regjisori kanadez, Paul Haggis, në fund të dhjetorit u akuzua për abuzim seksual, ndërsa tash edhe tri femra të tjera e kanë konfirmuar akuzën.
Filmbërësi, i cili e fitoi çmimin Oscar për filmin “Crash” në vitin 2004, u akuzua nga Haleigh Breest për keqtrajtim seksual, mirëpo ai theksoi se ishte vetëm një mënyrë që akuzuesja të tërhiqte vëmendjen tek ajo.
Ndërsa tash edhe tri femra të tjera kanë thënë se Haggis i ka keqtrajtuar, madje njëra prej tyre ka thënë se është përdhunuar nga ai.
Avokatët e regjisorit i kanë hedhur poshtë akuzat duke theksuar se klienti i tyre nuk e ka përdhunuar askënd.
Në akuzën e saj që ia ka dërguar Gjykatës Themelore të Ne Yorkut, Breest ka shkruar se ishte njoftuar me Haggis në janar të vitit 2013 në premierën e një filmi, ku ai ishte njëri prej mysafirëve të njohur.
Më pas i kishte ofruar transport me veturën e tij, ndërsa gjatë rrugës e kishte ftuar në banesën e tij.
Pas insistimeve të shumta të regjisorit, ajo ka thënë se ishte pajtuar të shkonte në banesën e tij për një pije, sepse kishte pasur frikë se ai do të ndikonte në karrierën e saj.
Mirëpo, sipas Breest që asokohe ishte 26 vjeçare, porsa kishin hyrë në banesë, Haggis kishte nisur ta puthte dhe ta shqetësojë seksualisht dhe më pas e kishte përdhunuar në dhomën e gjumit.
Haleigh Breest kërkon dëmshpërblim për lëndime trupore, dhimbje dhe vuajtje, PTSD, përulje, turpërim, stres, humbje të vetëbesimit dhe dhimbje e vuajtje emocionale. /Telegrafi/