Zhvillimi i shkencave shoqërore asnjëherë nuk mund të shihet si zhvillim i pavarur i tyre pa bashkëveprim reciprok. Kështu, historia e shkencave juridike njohu ndikimin e shkencave tjera, me theks sociologjisë dhe filozofisë, të cilat përmes koncepteve dhe botëkuptimeve të caktuara të cilat ishin proklamuar dhe kishin arritur të depërtonin në nivelet akademike, arritën të ndryshojnë edhe kahjen e zhvillimit të koncepteve juridike. Në të njëjtën kohë, nuk mund të kuptohet edhe zhvillimi i shtetit dhe të drejtës pa ndikimin e faktorëve politikë apo ekonomikë.
Zhvillimi i shoqërisë bashkëkohore vazhdon të jetë i ndikuar nga faktorët historikë të cilët shkaktuan dy luftërat botërore. Me theks të veçantë e hasim patriotizmin nacionalist i cili u përdor nga udhëheqës shtetëror jo vetëm për të konsoliduar shtetin dhe për të fuqizuar ndikimin në sferën e brendshme shoqërore, por ai kaloi në stadin më të lartë duke u shndërruar në një platformë shfarosëse nën shënjestrën e së cilës ishin grupe të caktuara etnike apo religjioze.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Republikën Federale të Gjermanisë u shfaq teoria e Patriotizmit Kushtetues e cila u përfaqësua nga Dolf Sternberger dhe Jürgen Habermas dhe e cila shërbeu si model i shtetndërtimit dhe ndikoi në ringjalljen e konceptit të shtetit kushtetues i cili në Gjermani paraqet sinonim të shtetit demokratik, shtetit social dhe shtetit të së drejtës që na paraqitet si kundërpërgjigje ndaj shtetit ligjor të diktaturës naziste (periudhë në të cilën veprimtaria e organeve shtetërore bazohej në ligje, por këto ligje nuk ishin rezultat i një procesi legal në kuptim të zinxhirit të legjitimitetit kushtetues).
Sot këtë teori e gjejmë pak apo thuajse nuk e gjejmë fare jashtë kufijve të RFGJ-së në formë të një platforme të zhvillimit shoqëror, ndonëse mund të jemi dëshmitar se kjo është pjesë e fjalorit të bartësve të funksioneve shtetërore edhe në Kosovë. Ngjashëm sikurse ligjet të cilat nëse nuk zbatohen, ashtu edhe teoritë e caktuara mbesin në nivelin e veprave letrare duke mos e fituar asnjëherë karakterin e tyre juridik respektivisht politik-filozofik.
Po të përqafohej kjo mënyrë e perceptimit të shtetit dhe shoqërisë në kuptim të së cilës organet shtetërore do të kuptonin se shteti është aty për t’i shërbyer qytetarit dhe jo për të shfrytëzuar qytetarin (një koncept i periudhës feudale apo edhe skllavopronare), por në të njëjtën kohë qytetari do të kuptonte rolin dhe fuqinë e tij si burim i sovranitetit kushtetues, padyshim se proceset shtetndërtuese do të përshpejtoheshin.
Nuk mund të presim nga qytetarët dhe aq më pak nga pushtetarët një orientim të tillë përderisa nuk ekziston vullneti dhe vizioni brenda shoqërisë Kosovare. Asnjëherë nuk duhet të presim se këtë do ta sjellë elita politike e cila në instancë të fundit është pasqyrim i gjendjes faktike të popullit, sepse ata janë pjesë e saj dhe nuk importohen – edhe pse nuk mund të mohohet emërimi i tyre nga faktori ndërkombëtar (në rastin tonë).
Nuk mund të shpresohet se gjendja në vendin tonë do të ndryshojë përderisa të rinjtë tonë janë shtresa më pasive e shoqërisë, duke qenë të varur nga rrjetet sociale dhe interneti. Nuk mund të shpresohet se ndryshimet i sjellin ata persona që nuk kultivojnë ndjenja krenarie dhe dashurie ndaj Atdheut, pavarësisht vështirësive të cilat krijohen nga ata që kanë bunkerizuar çdo shkëndije shprese. Nuk mund të shpresohet për ndryshim përderisa të rinjtë tonë e shohin atdheun (shtetin) e tyre si armikun më të madh.
Mund të shpresojmë kur shoqëria jonë kultivon brenda vetes njerëz që jetojnë për parime dhe ideale, ashtu si thoshte Mitrush Kuteli: njerëz që e shohin “Atdheun si Atdhe bile edhe kur ai të vret” apo njerëz që “e duan Atdheun edhe kur pushteti i tij të vret”.