Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë konsumues të rregullt të prodhimeve vendore. Si fuqi e madhe konsumuese e prodhimeve vendore dhe potencial për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, ata pranuan sot një mirënjohje nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vizitoi sot Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë dhe gjeneral-lejtnant Rrahman Rama, ku edhe i falënderoi që po i qëndrojnë besnik prodhimeve vendore dhe po i zgjedhin ato për konsumim.
Në këtë ceremoni, u tha se për të pasur një ekonomi më të mirë në vend, fillimisht duhet që ushtria të jetë e para që konsumon prodhime, uniformë dhe armatim vendor.
Kryetari i AKB-së tha se FSK-ja është konsumator besnik i prodhimeve vendore por që ende nuk po shfrytëzohet maksimalisht potenciali i tyre në rritjen e ekonomisë së vendit.
Sipas tij, kjo forcë duhet të avancohet dhe ka nevojë për mbështetje si nga qytetarët ashtu edhe nga qytetarët dhe bizneset. “Ne si aleancë e biznesit në shenjë falënderimi të ushtrisë së Kosovës si konsumatorë më besnik të prodhimeve vendore, sot kemi dhënë një mirënjohje falënderuese për konsum të prodhimeve vendore. Njëkohësisht Forcat e Sigurisë së Kosovës janë një potencial ende i pashfrytëzuar maksimalisht ata çka mund me potencialin e vet të japin edhe vendit edhe ekonomisë në këtë drejtim dhe ne e konsiderojmë që kjo forcë e sigurisë do të duhej të avancohet edhe më shumë dhe kjo kërkon mbështetje së pari nga institucionet, së dyti nga vet qytetarët dhe nga biznesi dhe ekonomia dhe ne shprehim gatishmëri që do të jemi gjithmonë bashkë”, tha Shahini.
Ai tha se ata kanë biseduar rreth bashkëpunimit të FSK-së, bizneseve dhe prodhuesve në mënyrë që ekonomia vendore të rritet. “Sot u hapën tema të ndryshme lidhur me potencialin që ka vet FSK, me potencialin që ne ofrojmë si ekonomi, si biznese, si prodhues dhe këto duhet të bashkohen, të bashkërenditen në qëllim që ekonomia vendore të ecë përpara”, shtoi Shahini.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, nuk është prononcuar për media, veçse ka falënderuar Shahinin dhe AKB-në për një mirënjohje të tillë. /Telegrafi/