Site icon Telegrafi

Patriarku Irinej: Serbia pa Kosovën është e vdekur, është njëjtë sikur njeriut t’ia heqësh zemrën

Ndarja e Kosovës dhe kufijtë e rinj, siç thonë disa, për Kishën Ortodokse Serbe dhe për shumicën e popullsisë nuk janë një zgjidhje e pranueshme, sepse Serbia pa Kosovën nuk është Serbi.

Kështu ka thënë Patriarku Irinej në një intervistë me agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, përcjell Telegrafi.

“Sikurse një njeriu kur ia heqësh zemrën, ai nuk është më një njeri i gjallë”, citohet të ketë thënë Patriarku gjatë një vizite në Moskë.

Ai theksoi se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe është të respektojë plotësisht rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, për të siguruar liri dhe autonomi të plotë për popullin shqiptar, por që territori i Kosovës të mbetet brenda Serbisë.

“Ky është qëndrimi i Kishës sonë dhe ky qëndrim u formulua nga Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe”, ka thënë tutje Patriarku Irinej.

Ndryshe Irinej muaj më parë kishte thënë se “çështja e Kosovës nuk duhet të zgjidhet në shpejtësi” dhe se Serbia nuk duhet të heqë dorë nga lufta për të ruajtur siç tha ai “atë pjesë të territorit të saj”. /Telegrafi/

Exit mobile version