Site icon Telegrafi

Pasurimi i shpejtë i shefit të Antikorrupsionit

Hasan Preteni ka arritur me sukses ta rrisë pasurinë e tij nga viti në vit prejse është zgjedhur në krye të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit dhe njëkohësisht ka “dështuar me sukses” ta zbulojë pasurinë marramendëse të politikanëve vendorë.

Kur kishte marrë “timonin” e Agjencisë, Preteni nuk kishte as kulm mbi kokë, përderisa për më pak se një dekadë ai është pronar i një banese dhe i një shtëpize, siç ai e ka quajtur, të ndërtuar në një truall prej 701 metra katrorësh në periferi të kryeqytetit.

Në vitin 2010 Preteni në formularët e pasurisë kishte deklaruar se për ta blerë banesën ishte detyruar të hyjë në kredi prej 65 mijë eurosh, në njërën nga bankat komerciale në vend, edhe pse të hyrat e tij vjetore ishin prej 26 mijë e 448 eurosh.

Por, pesë vjet më vonë vlera e kredisë së tij është rritur për 5 mijë euro, duke arritur në 71 mijë euro, derisa të hyrat e tij vjetore janë rritur prej më shumë se 10 mijë eurove, duke arritur në 36 mijë e 359 euro.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Preteni është përpjekur të tregojë më shumë për punën e tij, ndërkaq për pagën ka preferuar të flasë fare pak. /Telegrafi/

Exit mobile version