Telegrafi

Pastruesit e rrugëve janë duartrokitur për përpjekjet “e mahnitshme” për të mbajtur rrugët të pastra për funeralin e Mbretëreshës

Pastruesit e këshillit të qytetit të Westminsterit u përshëndetën me duartrokitje mirënjohëse pasi arkivoli i Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II u soll në Westminister Hall nga Pallati Buckingham.

Pastruesit që marshonin nëpër Whitehall u brohoritën nga turma të mëdha që u mblodhën për të nderuar monarkun e ndjerë, në njohje të punës së tyre të rëndësishme.

Siç raportohet nga Mirror, pamjet e skenës emocionale u kapën nga punonjësja parlamentare Sarah Jane-Sewell nga dritarja e zyrës së saj në Parliament Street, transmeton Telegrafi.

Turmat e vajtuesve mund të shiheshin duke duartrokitur një grup prej 17 pastruesish, duke i falënderuar ata për gjithë punën e tyre të palodhur në këtë kohë historike.

Një video e dytë, e bërë gjithashtu nga Sarah, tregon punëtorët e këshillit të Westminsterit duke u përgatitur për orarin e ardhshëm të ngjarjeve mbretërore duke mbuluar me rërë Sheshin e Parlamentit.

Anëtarët e publikut të hënën i dhanë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, me shërbimin e saj të funeralit i cili u shfaq në televizion e që u zhvillua në Westminister Abbey, ku ajo u kurorëzua si monarke më shumë se 70 vjet më parë.

Duke postuar në Twitter pamjet e pastruesve që marshonin më 14 shtator, Sarah shkroi: “Duartrokitje nga turmat shpërthejnë për punëtorët e qytetit të Westminister që kanë pastruar dhe përgatitur rrugët këtë mëngjes”. /Telegrafi/