Një këshill lokal në veri të Italisë ka anuluar një gjobë të shqiptuar për një migrant nigerian, pasi kishte pastruar rrugët pa leje.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, 29-vjeçari i papunë, i quajtur Monday, kishte vendosur të pastronte rrugët në periferinë e Venecias, në vend që të kërkonte para nga kalimtarët.
Kështu, ai u gjobit me 350 euro. Por protestat bënë që zyrtarët të tërhiqnin dënimin.
Madje, gjoba gjithashtu shkaktoi një reagim në internet, duke kërkuar mbledhjen e parave për të.
“Unë do të doja të integroja veten me ndershmëri në shoqërinë tuaj pa kërkuar lëmoshë”, kishte shkruar ai në një karton, ndërsa ai fshinte rrugët. “Unë do ta mbaj rrugën të pastër dhe do të kërkoj vetëm një kontribut për punën time”.
Në një postim në Facebook, Matteo D’Angelo – i cili nisi apelin në internet – tha se emigranti kishte larguar “gjethet që bllokojnë kullonjetat sa herë që bie shi, filtrat e sigareve dhe të gjitha mbeturinat që ne qytetarët e qytetëruar hedhim në tokë”.
Aksionet e Monday raportohet se tërhoqën vëmendjen e policisë pas ankesave nga banorët. Por gjoba u tërhoq pasi policia mori katër telefonata nga banorët e tjerë të zonës që e mbronin. Autoritetet thanë se gjoba ishte dhënë nga oficerët të cilët ishin të rinj dhe pa përvojë.
Emigracioni vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme në Itali, ku mijëra migrantë kanë mbërritur vitet e fundit.
Javën e kaluar, Italia dhe Franca kërkuan një sistem të ri për të rishpërndarë automatikisht migrantët në të gjithë Bashkimin Evropian. /Telegrafi/