Një familje kineze do të dorëzojë dy pronat e saj me vlerë më shumë se 1.6 milion paund [2.2 milionë dollarë] në Londër, për shkak se mamaja kishte pranuar të pastronte para për një bandë shqiptare.
Sipas hulumtimeve të policisë, dy shtëpitë ishin të lidhura me pastrimin e parave të një bande shqiptare të drogës, për të cilat shtetasja me kombësi kineze, Fen Chen, u dënua me 6 vite burg në 2017-në pasi u shpall fajtore.
Hetuesit zbuluan se grupi i kriminal i organizuar i kishte dhënë Chen më shumë se 1.8 milion paund para në dorë. Ajo u arrestua pasi kishte pranuar një pako me para nga një shqiptar i identifikuar si Fation Koka, me vlerë 300 mijë paund, në një vend parkimi. Edhe Koka u arrestua gjatë atij operacioni policor.
Mësohet se kinezja depozitonte vazhdimisht shuma të mëdha parash në llogaritë e të birit Shuyu Cao në Britani të Madhe.
Ky i fundit kishte marrë më shumë se 800 mijë paund në llogaritë e tij përmes bankave në të gjithë vendin.
Një kontroll në shtëpinë e tij zbuloi një valixhe metalike që mbante 60,000 £, duke nxitur një hetim të ri për burimin e parave.
Oficerët gjetën gjithashtu fotografi në kompjuterin e tij të tufave të parave dhe dy kartëmonedhave të grisura, një pajisje e njohur e përdorur nga pastruesit e parave. /Ora News/