Dibrani Blendi Troci ka bërë një veprim që është bërë viral në internet. Ai ka marrë shumë komente pozitive për pastrimin e bregut në Liqenin e Dibrës.
Blendi Troci në Facebook ka njoftuar se këtë e ka bërë pasi ka qenë i dëshpëruar me pamjet që ka parë derisa ka dalë për shëtitje me biçikletë, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Blendi së bashku me të riun Kaja Sami kanë pastruar me orë mbeturinat dhe rezultati duket i shkëlqyeshëm.
“Kur ditën e nis me një aktivitet sportiv dhe rastësisht e shikon ambientin e ndotur, nuk mund të qëndroja duarkryq. Falënderoj Kaja Sami për përgjigjen dhe ndihmën që më dha. Ne e dimë se hakmarrja e Natyrës ndaj njerëzimit ka filluar, por nuk e dimë sa të rënda do jenë plagët që do të marrim. Për një Dibër më të pastër dhe më të shëndoshë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, Liqeni i Dibrës është një liqen artificial në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut afër qytetit të Dibrës. Liqeni i Dibrës ka një sipërfaqe prej 13.2 km² dhe kështu është ndër liqenet më të mëdha në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/