Site icon Telegrafi

Pastrohet dhe vendosen shporta mbeturinash përreth Liqenit të Batllavës

Inxhinierët pa Kufij (Engineers Without Borders Kosova) me përkrahje financiare nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, kanë vendosur shporta nëpër hapësirat përreth Liqenit të Batllavës, si dhe kanë zhvilluar një aksion për pastrimin e këtyre hapësirave.

Vigan Jashari nga Organizata joqeveritare “Inxhinierët pa Kufij”, tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës është pastruar para jo më shumë se dy javësh, por në ndërkohë e njëjta është mbushur plot mbeturina nga vizitorët e pakujdesshëm.

“Ky projekt është financuar, është përkrahë financiarisht nga ambasada e Luksemburgut të cilëve u jemi shumë falënderues” tha ai.

Sa i përket arsyeve për përzgjedhjen e Batllavës si lokacion për aksion pastrimi, Jashari tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës duhet të jetë shumë më e pastër dhe më e mirë për shkak se ajo është një destinacion turistik për Kosovën, jo vetëm për ata që nuk i kanë mundësitë të vizitojnë bregdetin gjatë verës por po ashtu edhe për të gjithë të rinjtë e Kosovës që mund ta vizitojnë liqenin.

Arsyeja tjetër sipas Jasharit është se ky liqen i furnizon shumicën e qytetit të Prishtinës me ujë.

 

Ky ka qenë organizimi i parë i këtij lloji për Inxhinerët pa Kufij, por Jashari shpreson se nuk është i fundit.

Në mesin e vullnetarëve që i ishin bashkangjitur iniciativës për pastrim, Mimoza Karameta nga qyteti i Lipjanit, e cila tha për KosovaPress se është obligim moral i çdo qytetari të mos hedhë mbeturina, dhe nëse mbeturinat hidhen të paktën të dalin disa vullnetarë t’i largojnë ato.

 

Karameta po ashtu tha se është shumë e rëndësishme të ndermirën aktivitete të këtilla, dhe se shpreson se nuk do ketë nevojë më për këso lloj aktivitetesh në rend të parë dhe se qytetarët do vetëdijesohen dhe të mos ta ndotin ambientin.

Rreth mesditës shportat e blera me financimin e ambasadës së Luksemburgut janë vendosur në hapsirat përreth liqenit.

Inxhinierët pa Kufij është një organizatë humanitare joqeveritare e themeluar për t’u bërë partnere në zhvillimin e komuniteteve në mbarë botën, me mision përmirësimin e cilësinë së jetës së këtyre komuniteteve. /KP/

Exit mobile version