Site icon Telegrafi

“Pastrimi” i zhytur në borxhe, i bllokohet xhirollogaria

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, njofton opinionin publik se i janë bllokuar xhirollogaritë bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive te Kosovës, dhe po ashtu gjendet para një kolapsi financiar për arsye te borxhit që ka ndaj kësaj kompanie.

“Pastrimi” njofton se vlera e borxhit është 1,394,449.65 euro borxh i trashëguar ndër vite që nga koha e pasluftës, ndërsa tarifa e kamatës ligjore është 732,601.82 euro e llogaritur padrejtësisht duke mos u bazuar ne aktgjykimin e Gjykatës qe e rëndon edhe më shumë gjendjen financiare të kompanisë duke arritur gjithsej borxhi 2,157,419.1 euro e që është e papërballueshme për kompaninë.

“Ky borxh është grumbulluar/trashëguar ndër vite për arsye se qytetarët nuk kanë paguar Kompaninë ‘Pastrimi’, për shërbimin e mbeturinave pavarësisht që ne kemi kryer shërbim , KMDK ka dërguar Kompaninë ‘Pastrimi’, tek përmbaruesi duke bllokuar te gjitha xhirollogaritë bankare te Kompanisë”, thuhet në njoftim.

“Pastrimi” njofton me bllokimin e xhirollogarive kompanisë i pamundësohet grumbullimi dhe largimi i mbeturinave në territorin e komunave ku kryejnë shërbimi. Gjithashtu duhet pasur parasysh faktin që Kompania “Pastrimi”, ka 600 punëtorë të punësuar me çka rrezikohet ekzistenca e familjeve të tyre, pa përmendur faktin që Qyteti i Prishtinës dhe qytetet tjera mund të kaplohen nga ndonjë epidemi që do ta rrezikonte shëndetin e gjithë qytetarëve.

Kompania “Pastrimi”, tash e 20 vite kryen shërbim për 7100 familje me asistence sociale në gjitha komunat ku kryen shërbim dhe për gjitha këto vite kompania nuk është rimbursuar asnjëherë nga komunat dhe Qeveria e Republikës se Kosovës, kostoja e këtij shërbimi është 500.000,00 euro në vit.

Gjatë periudhës kur është iniciuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike, Kompania “Pastrimi”, iu ka falur 10 milionë euro borxh qytetarëve, ndërsa në anën tjetër ne nuk kemi përfituar falje te borxhit nga KMDK-ja.

Kompania “Pastrimi”, është në periudhën e negociatave me Bankën Gjermane për Zhvillim KFË, të cilët kanë bërë studim të fizibilitetit për të investuar (grand) në shumën prej 27 milionë eurove, investim i cili do ta bënte kompaninë “Pastrimi” lider në Ballkan, por pas këtyre rrethanave rrezikohet ky investim, e që do të ishte humbje e madhe për gjithë shtetin.

Kompania “Pastrimi”, u bënë thirrje urgjente institucioneve shtetërore që të marrin masa dhe të na ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate në të cilën gjenden. /Telegrafi/

Exit mobile version