I pastrehu Chris Parker i cili fitoi epitetin e heroit pasi shpëtoi viktimat e sulmit terrorist në Manchester të Anglisë, ka pranuar se edhe pse në momente ankthi dhe paniku kishte shfrytëzuar rastin t’ua vjedh gjësendet e ndryshme personave që i shpëtoi.
Parker ishte njëri nga “qytetarët e rëndomtë” që fitoi vëmendjen e mediave për shkak të reagimeve të tyre pas shpërthimit të eksplozivit në koncertin e pop këngëtare amerikane Ariana Grande, ku kamikazi vrau 22 persona dhe plagosi rreth 500 tjerë, transmeton Telegrafi.
Siç raporton Sky, megjithatë ai tani po akuzohet për vjedhjen e çantave dhe telefonave mobil gjatë panikut që mbizotëronte në Manchester Arena.
Parker kishte dhënë intervista për shumë media botërore, si njëri nga shumë të pastrehët që u kishin dalë në ndihmë qytetarëve pas sulmit. Kurse tani e ka pranuar se ia kishte vjedhur çantën Pauline Hayley, mbesa e të cilës Sorel Lechkovski (14-vjeçe) kishte humbur jetën vetëm disa metra larg saj.
Gjithashtu ka pranuar se ia kishte vjedhur telefonin një vajze, identiteti i të cilës nuk u zbulua në gjyq për shkak të moshës.
Në sulmin terrorist në Manchester që e kishte marrë përgjegjësinë organizata terroriste “Shteti Islamik”, shumica e viktimave ishin adoleshentë. /Telegrafi/