Site icon Telegrafi

Pastiço me perime

Përbërësit:

▪ 250 gr makarona 
▪ 2 filxhanë çaji bizele të ngrira
▪ 1,2 filxhanë çaji speca të kuq në kubikë (1-2 copë)
▪ 1 filxhan çaji karota në kubikë (2-3 copë)
▪ 120 gr proshutë
▪ 120 gr djathë i verdhë (për pica e tost)
▪ 1 tufë e vogël majdanoz
▪ 2 filxhan çaji qumësht
▪ 3 vezë
▪ 1 lugë gjelle niseshte
▪ 1 lugë kafe piper i ëmbël (i kuq, jo djegës)
▪ kripë 20 gr
▪ gjalpë
▪ 2 lugë gjelle miell ermik

Përgatitja:

Lyejmë formën me gjalpin e ngrirë, si dhe ndarjen e mesit. E spërkasim me ermik dhe e tundim formën. E shkundim ermikun që nuk ngjitet. E fusim formën ne frigorifer të ngrijnë përbërësit që u ngjitën.

Vendosim bizelet në një tenxhere me mjaft ujë të kripur. Sapo të marrë valë, hedhim karotat. Pas dy minutash, shtojmë dhe makaronat. I lëmë 4 minuta dhe i heqim nga zjarri. I lëmë të ftohen.

Grijmë djathin, specat në kubikë, majdanozin imët dhe i shtojmë te makaronat në tenxhere, bashkë me sallamin. I përziejmë mirë dhe i hedhim në formë. Shtrojmë me lugë sipërfaqen, duke shtypur lehtë. Rrahim vezët me qumështin, niseshtenë, kripë, piper, e i hedhim në formë. E pjekim në 200 gradë Celsius poshtë për 30 minuta dhe e mbulojmë me letër alumini. E pjekim dhe për 20 minuta.

E lëmë të ftohet dhe pastaj e heqim nga forma. Sugjerohet të serviret me sallatë jeshile.

Shënim: Perimet mund të zëvendësohen me kërpudha e misër, fasule të njoma të prera etj., mjafton që vëllimi i tyre të mos kalojë 4,5 filxhanë çaji. /Telegrafi/
 

Exit mobile version