Franca mbrëmë (17 qershor) e nisi me fitore kampanjën e tyre në Kampionatin Evropian 2024, pasi mposhti me rezultat minimal 1-0 Austrinë në ndeshjen e tyre hapëse, e vlefshme për grupin D.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi mbrojtësi austriak Maximilian Wober i cili aksidentalisht e çoi topin në rrjetën e portës së tij për t’i dhënë avantazhin prej 1-0 Francës.
“Gjelat” patën edhe disa mundësi të mira për të rritur epërsinë, por që deri në fund të takimit rezultati mbeti po ai i pjesës së parë.
Nëse ky start ka qenë një lajm i mirë për Francën dhe tifozët e saj, për Mbappen ka qenë një natë me dy fytyra, pasi francezi ka pësuar një lëndim aspak të lehtë që do të ndikojë më tutje për të në Euro 2024.
Në minutën e 86-të të ndeshjes, pas një dueli me mbrojtësin kundërshtar Kevin Danso, Mbappe u rrëzua në fushë dhe u mbulua me gjak.
Pas përfundimit të ndeshjes, përzgjedhësi Didier Deschamps e konfirmoi se Mbappe me shumë mundësi e ka thyer hundën.
Kylian Mbappe covered in blood after a head injury#AUTFRA #EURO2024 pic.twitter.com/8o3Ye9fx78
— Sideline Recaps (@SidelineRecaps) June 17, 2024
“Po, Mbappe me shumë gjasë e ka thyer hundën”, ka thënë ai shkurtimisht për TF1.
Ky lëndim nuk do t’ia pamundësojë Mbappes pjesëmarrjen në vazhdimësi të Kampionatit Evropian 2024, por sipas raportimeve ai do të detyrohet që të luajë me maskë për pjesën e mbetur të saj.
Franca ndeshjen e ardhshme do ta luajë të premten ndaj Holandës dhe mbetet të shihet se a do të jetë Mbappe prezent në atë takim./Telegrafi/