Katastrofat natyrore, siç janë tërmetet, provokojnë rrethana në të cilat personat e prekur mund të përjetojnë çrregullime të stresit post traumatik e çrregullime të tjera. të cilat i afektojnë ata.
“Këto ngjarje provokojnë mekanizma të cilët reagojnë për shkak të frikës dhe mungesës së shpresës për të shpëtuar”, është shprehur psikologu Visar Sadiku.
Sadiku, i cili ka vizituar nga afër banorët e prekur nga tërmeti në Shqipëri, ka përshkruar simptomat të cilat paraqiten pas një përjetimi të tillë.
“Mënyra se si personi tenton t’i shmanget vendit ku ka ndodhur aksidenti, ndërveprimi i ulur me të tjerët, shqetësimi i vazhdueshëm se kur do të vij tjetri etj., janë indikatorë që nëse vazhdojnë me intensitet të ngritur, mund të merren si faktorë që ndikojnë në stresin post traumatik”, deklaroi për RTV Dukagjinin, psikologu Visar Sadiku.
Sipas Sadikut fëmijët janë më të margjinalizuar ndaj efektit të stresit traumatik.
“Fëmijët kanë qenë dukshëm më të margjinalizuar ndaj këtij efekti se sa të rriturit. Gjatë punës me në ngjarjet e para traumatike nuk duhet të flasim vetëm për ngjarjen traumatike dhe si ka rrjedhur ajo pasi njerëzit kanë nevojë për një shkëputje nga realiteti që ka dëmtuar mirëqenien e tyre ekonomike dhe sociale”, shtoi më tej Sadiku, përcjell Telegrafi.
Traumat nuk paraqiten menjëherë, ato mund të shfaqen rreth një muaj më vonë si dhe mund të përpunohen përmes metodave të ndryshme të cilat nuk provokojnë emocione të fuqishme, ka shpjeguar psikologu Sadiku.
Ai ka shtuar se tek personat e prekur duhet instaluar ndenja e shpresës për një rinisje të jetës./RTV Dukagjini/Telegrafi/