Përçarja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës pritet të sjellë dhe një çarje të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Nisur nga pozicionimi i deputetëve deri tani, Basha mund të ketë një grup prej 37 deputetësh ku janë një pjesë të cilët nuk janë shprehur publikisht në mbështetje të tij.
Nga ana tjetër, pjesë e grupit të Berishës janë 14 deputetë të cilët kanë dalë krah tij ose që janë përjashtuar nga funksionet në PD.
Tomor Alizoti, deputet i PD, deri tani është kritik ndaj Bashës por nuk ka një pozicion të qartë rreshtimi.
Ndërsa 7 deputetë të dalë nga lista e PD janë emra të aleatëve të saj. Pjesa tjetër e parlamentit janë 4 deputetë të LSI dhe 74 të mazhorancës qeverisëse.
Oerd Bylykbashi, deputeti i Partisë Demokratike, thotë se nuk ka një ndarje të grupit parlamentar. Sipas tij Basha nuk mund t’i përjashtoi nga grupimi.
Deputeti i Qarkut të Durrësit tha se “problemi” është tek ata që e cilësojnë veten “deputetë të Bashës” dhe jo “deputetë të PD”.
Politologu, Ermal Hasimja thotë se politikanët me integritet brenda PD nuk duhet ta lënë partinë në dorë të konfliktit mes Berishës dhe Bashës.
Studiuesi, Blendi Ceka shprehet se shumë figura të PD në 30 vite janë kthyer në zgjatim të dy liderëve.
Studiuesi, Redi Shehu u shpreh se “dy grupimet brenda PD do të bëjnë më shumë opozitën e opozitës se sa opozitën e mazhorancës”./Euronews Albania