Shpërthimi i vullkanit në Sicili të Italisë pritet të shtrijë rrezen e tij ndikuese në të gjithë juglindjen e Evropës.
Edhe pse ndodhemi me kilometra larg, pasojat e vullkanit që shpërtheu dje në malin Etna, do të ndihen edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Faqja e parashikimit të motit, ‘Accuweather’ ka njoftuar se shpërthimi i Etnës do të ndikojë në të gjithë juglindjen e Europës ku përfshihen të gjitha vendet si: Jugu i Italisë, pjesa më të madhe e Shqipërisë, veriu i Greqisë, e gjithë Maqedonia, jug-lindja e Kosovës, jugu i Serbisë, e gjithë Bullgaria, jugu i Rumanisë dhe veriu i Turqisë evropianë.
Sipas Tyler Roys, hiri i dalë nga vullkani, i cili po ngjitet drejt atmosferës, do të ndikojë motin në Europën Juglindore gjatë fundjavës, madje duke filluar që të enjten në mbrëmje.
“Cilësia e dobët e ajrit do të jetë një shqetësim, pasi hiri mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, veçanërisht te njerëzit e ndjeshëm. Kjo situatë mund të vazhdojë për disa ditë, për aq kohë sa do të zgjasë shpërthimi i vullkanit”, thotë Tyler Roys.
Hiri do të ngjitet në nivelet e sipërme të atmosferës dhe do pengojë rrezet e diellit në detin Jon dhe Ballkan, duke filluar nga e premtja për të vazhduar deri të shtunën. Në këtë situatë do të krijohet edhe një ‘perde tymi’, e cila do qëndrojë mbi rajonin tonë për të paktën dy ditë.
Për personat që kanë probleme me frymëmarrjen rekomandohet që të shmangen daljet jashtë shtëpisë nëse situata e ajrit rëndohet.
Hiri mund të shkaktojë edhe probleme të vogla në fluturimin e avionëve, kryesisht në rajonin e Sicilisë.
Vullkani në malin Etna është më aktivi në Europë, gjithsesi, studiuesit nuk parashikojnë rreziqe të madha nga shpërthimet. /Panorama/