Telegrafi

Pasojat e thatësirës në Australi, mijëra lopë vrapojnë për ta shuar etjen te cisterna me ujë (Video)

Mijëra lopë të etura janë filmuar duke vrapuar për të pirë ujë nga kamioni cisternë, pasi shteti më i populluar i Australisë, Uellsi i Ri Jugor (NSW) është goditur nga thatësira që po konsiderohet më e rënda në 20 vitet e fundit.

Pronarja e lopëve kishte udhëtuar qindra kilometra për ta mbushur cisternën me ujë për t’ua shuar etjen lopëve, që mezi arrinin të qëndronin në këmbë nga temperaturat e larta, transmeton Telegrafi.

Pamjet e filmuar me dron shfaqin Uellsin e Ri Jugor që është goditur tërësisht nga thatësira, si dhe 1,300 lopët e fermeres Amber Lea që kishte bërë të pamundurën që t’ua sigurojë ujin për të mbetur gjallë.

“Uji është zhdukur pothuajse në të gjitha zonat. Mullinjtë kanë ndalur punën, kurse edhe ato pak zona që kanë ujë janë 50 deri në 70 kilometra larg zonave të banuara”, ka deklaruar fermerja Lea.

Uellsi i Ri Jugor prodhon rreth një të katërtën e prodhimit bujqësor të Australisë. U regjistrua zyrtarisht si “qind për qind në thatësirë” të mërkurën.

Qeveritë shtetërore dhe ato federale kanë siguruar një fond prej 576 milionë dollarësh, në fondet e ndihmave emergjente. /Telegrafi/