Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe miliona tjerë kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e tajfunit të fuqishëm që ka goditur këto ditë Japoninë.
Raportohet se qindra tjerë janë lënduar, kurse infrastruktura përgjatë bregut perëndimor është shkatërruar plotësisht nga tajfuni Jebi, që po konsiderohet si më i rrezikshmi në 25 vitet e fundit, transmeton Telegrafi.
Aeroporti ndërkombëtar Kansai që konsiderohet si njëri prej aeroporteve më të mëdha në Japoni, është bllokuar pasi ura që lidh qytetin me të është shkatërruar kur anija cisternë që peshon 2,500 tonë u përplas.
Erërat e forta që lëvizin me 220 kilometra në orë, kanë bërë që të krijohen valë të mëdha që shkatërruan pothuajse gjithçka në bregun perëndimor.
Video të ndryshme amatore shfaqin pasojat e këtij tajfuni që i ka lënë shumë njerëz pa kulm mbi kokë. Kryeministri i vendit Shinzo Abe u ka bërë thirrje qytetarëve që të strehohen në zona më të sigurta. /Telegrafi/