Site icon Telegrafi

Pasojat e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Para disa ditësh u bë promovimi i publikimit me titull “Parashikimi i popullsisë së Kosovës 2011-2061”. Ky publikim i bërë nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paraqet rezultatet e llogaritjes dhe analizën e zhvillimit të popullsisë së Kosovës për 50 vitet e ardhshme. Puna e këtij agjencioni dhe vullneti i punëtorëve për punë është për t’u përshëndetur, pasi që është hera e parë që projeksionet e popullsisë bëhen nga institucionet tona, por rezultatet e punës së tyre janë shumë shqetësuese, bile edhe të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Mirëpo, para se ta ndaj me ju shqetësimin që e pashë në këtë punë, të qartësojmë një herë çka është regjistrimi i popullsisë, sa është i besueshëm rezultati i regjistrimit të popullsisë në Kosovë i vitit 2011 dhe cilat janë pasojat e këtij regjistrimi.

Regjistrimi i popullsisë është vrojtim i posaçëm statistikor i organizuar mbi baza shkencore, nëpërmjet të cilit arrihet të sigurohet numri i popullsisë në një moment të caktuar, shpërndarja territoriale dhe struktura e saj sipas karakteristikave demografike (mosha, gjinia, gjendja civile, etj.), sociale-kulturore (grupi shoqëror, shkalla arsimore, etj.) dhe ekonomike (profesioni, etj.). Qëllimi kryesor i kësaj njohjeje është që të analizohen e drejtohen, në bazë të parimeve të drejta, problemet që dalin në rrugën e zhvillimit të vendit.

Ky nocion na bënë të kuptojmë se regjistrimi i popullsisë është një ndër projektet më të mëdha të organizuara në një shtet, i cili paraqet skeletin e sistemit kombëtar statistikor. Ofron të dhëna esenciale për zgjedhjen e përfaqësuesve politikë, për planet nacionale dhe sektoriale, për gjetjen e resurseve, për lokacionin e rrugëve dhe infrastrukturës të tjetër, si dhe për udhëzimet e marketingut e mundësitë e shpërndarjes së ndërmarrjeve private. Ofron të dhëna bazë për madhësinë, përbërjen, lokacionin, statusin social-ekonomik dhe ndryshimet e popullsisë gjatë gjithë kohës. Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë mund të përdoren për njohjen e gjendjes së shtëpive, të shkollave, për punësimin, situatën shëndetësore etj. Regjistrimi po ashtu është esencial edhe për përdorimin e mostrave për hulumtime të ndryshme.

Kështu duhej të ishte edhe në shoqërinë shqiptare në Kosovë, e cila çdo ditë e më tepër po synon të dëshmojë stabilizim dhe demokratizim. Mirëpo, fatkeqësisht ajo që po e shohim dhe po ndodh në terren, shpeshherë po na dëshmon të kundërtën. Sikur është bërë zakon që çdo projekt me rëndësi kombëtare të fillohet, të mos përfundohet ose të keq përfundohet pa e kuptuar mirë qëllimin dhe dobinë që ka shoqëria jonë prej tij, e njëjta dukuri ka ndodhur edhe me Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë në vitin 2011.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u organizua në prill të vitit 2011. U organizua pikërisht pas 30 vjetësh nga regjistrimi i fundit i vitit 1981, apo pas 20 vjetësh nga vlerësimi mbi numrin e popullsisë në Kosovë nga organet e atëhershme institucionale, për shkak të refuzimit të shqiptarëve për të marrë pjesë. Për ta qartësuar, ky vlerësim ishte i pranueshëm sepse nxori se 82.2 për qind e popullsisë së Kosovës ishin shqiptarë, e që përputhej me situatën në terren. Vështruar numrin e banorëve sipas këtyre viteve, në 1981 ishim 1.584.440 banorë, e në vitin 1991 ishim 1.956.196 banorë. Kurse, sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit në vitin 2011 dolëm se jemi 1.739.825 banorë. Domethënë për 30 vjet u shtuam për 155.385 banorë ose për 20 vjet u zvogëluam për 216.371 banorë!

Ky rezultat edhe për njeriun laik në këto probleme është i papranueshëm, kur dihet se shkalla e lindshmërisë brenda gjithë kësaj periudhe kohore ishte e lartë. Në dhjetëvjetëshin e parë pas vlerësimit mbi numrin e popullsisë, sipas të dhënave nga statistikat vitale, shtimi natyror (ndryshimi në mes numrit të lindjeve dhe vdekjeve) në vlerë absolute ishte mesatarisht 38000 banorë në vit.

Domethënë, popullsia e Kosovës prej viti 1991-2000 është shtuar mesatarisht për 38.000 banorë në vit. Ndërsa, në dhjetëvjetëshin e dytë, 2001-2010, është shtuar mesatarisht për 28.000 banorë në vit. Me një analizë shumë të thjeshtë të kësaj, del se popullsia e Kosovës nga viti 1991 është shtuar për 600-700 mijë banorë, e që sot duhej të ishim 2.5 milionë banorë. Këtë e vërteton edhe regjistrimi votues, sipas të cilit në dhjetor të vitit 2013 të drejtë vote patën 1.779.357 banorë. Domethënë, kaq banorë ishin mbi moshën 18 vjeçare. Kurse, vet rezultati i regjistrimit të vitit 2011 thotë se në Kosovë 36 për qind e popullsisë janë nën 18 vjet. Gati një milion banorë më shumë. Athua, listat e votuesve përbënin njëmilion emra më shumë me të drejtë vote se sa që ishim në realitet! Këtu ka diçka që nuk shkon. Por, e keqja nuk ndalet me kaq. Vazhdon me projeksionet e popullsisë së Kosovës.

E thamë që regjistrimi i popullsisë, përveç që ndihmon zhvillimin e shtetit në sektorët ekonomikë, politikë e socialë, ai paraqet bazën e të dhënave për çdo hulumtim. Është pika referuese e çdo pune. Prandaj, edhe projeksioni i popullsisë është bërë duke u bazuar vetëm në rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë në vitin 2011.

Me rregull, projeksionet e popullsisë bëhen duke marrë për bazë lëvizjen e numrit të popullsisë sipas moshës dhe gjinisë në tri regjistrimet e fundit të popullsisë dhe duke analizuar ndryshimin e katër komponentëve demografike: natalitetit, mortalitetit, imigrimit dhe emigrimit. E, llogaritja pastaj bëhet duke punuar me normën e fertilitetit të përgjithshëm (numrin e fëmijëve për grua) në tri variante: i ulët, ku norma e fertilitetit të përgjithshëm është 1.6 që nuk siguron shtim të numrit të popullsisë; i mesëm, 2.1 që është norma e riprodhimit të thjeshtë; i lartë, 2.6, që siguron shtim të qëndrueshëm të popullsisë.

Normalisht, shteti i kërkon këto projeksione të parametrave të ardhshëm demografikë në mënyrë që në përputhshmëri me rritjen e popullsisë, të plotësojë kërkesat e të gjitha llojeve, si për rrugë, çerdhe, shkolla, personel mjekësor, zhvillim të bizneseve, etj.

Sipas publikimit “Parashikimi i popullsisë së Kosovës 2011-2061”, Kosova pritet që në vitin 2061 sipas variantit të ulët do të ketë 1.095.732 banorë; sipas variantit të mesëm do të ketë 1.743.470 banorë; sipas variantit të lartë do të ketë 2.494.280 banorë. Shifra shumë shqetësuese, por jo edhe të besueshme kur dihet baza e të dhënave që është mbështetur i gjithë ky hulumtim. Pra, rezultati i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2011, sipas të cilit ne si popullatë jemi zvogëluar në numër.

Ky rezultat është i papranueshëm. Sot rreth 50 përqind e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare, apo rreth 40 për qind është nën moshën 18 vjeçare. Që domethënë se pjesa më e madhe e popullsisë është në moshën e riprodhimit, janë aktivë në procesin e lindshmërisë ose presin që në të ardhmen të fillojnë me lindjet e tyre. Shoqëria jonë, sado të zhvilluar të dukemi, normat tradicionale të jetesës i ruajmë ende. Martesa dhe lindja janë dy ngjarjet kryesore të jetës dhe gjëja më e vlefshme është familja. Prandaj, gjithë këta të rinj sot, presin që në një të ardhme të afërt të krijojnë familjet e tyre dhe kontribuojnë në shtimin e gjinisë njerëzore. Është shumë e qartë, që kontributi i tyre biologjik nuk mund të jetë i njëjtë sikurse i prindërve të tyre, por padyshim se është pozitiv dhe Kosova falë një numri kaq të madh të të rinjve, do të sigurojë shtim të qëndrueshëm të popullsisë edhe për disa dekada të ardhshme.

Problem tjetër mjaft shqetësues që nxjerr ky publikim është vlera e numrit absolut të lindjeve sot. Për të iu përshtatur rezultateve që ato të jenë sa më bindëse, raporti na thotë se “nga statistikat vitale të lindjeve, janë hequr 5.500-6.000 lindje të cilat qenkan bërë nga gratë kosovare që jetojnë jashtë vendit”. Këtë dukuri e hasa për herë të parë në këtë raport. Si është e mundur që fëmijët lindin jashtë Kosovës, jetojnë atje, shkollohen atje dhe shfrytëzojnë të gjitha të drejtat qytetare, e nuk paskan të drejtë të regjistrohen. E institucionet tona prindërit e tyre nuk i pranojmë si banorë të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë i lënë jashtë, kurse fëmijët e tyre i regjistrojnë. Kjo është non sens! Domethënë se statistikat vitale që ne jemi shërbyer me vite, nuk qenkan të sakta.

Analizë tjetër e raportit është jetëgjatësia mesatare e të porsalindurve në Kosovë. Sot qenka 76.7 vjet! Njëjtë sikurse Polonia, Kroacia e Sllovakia, apo më e lartë se Bullgaria, Serbia, Maqedonia etj. Në përfundimin e luftës së vitit 1999 ka qenë 68.8 vjet. Një rritje kaq e madhe e jetëgjatësisë bie ndesh me situatën ekzistuese të zhvillimit ekonomik, si faktor matës. Ne si vend ballafaqohemi me standardin e ulët jetësor të popullsisë, nivelin e lartë të varfërisë, shkallën e lartë të papunësisë, situatën jo që kënaqshme shëndetësore etj. Atëherë, si është e mundur që të gjithë parametrat e zhvillimit njerëzor të ngecin, e jetëgjatësia të shënojë rrije. Këtu prapë burimet e tjera të të dhënave qenkan më të besueshme. Sipas UNDP-së jetëgjatësia mesatare e të porsalindurve në Kosovë është 70 vjet që i përgjigjet shkallës së mortalitetit sipas moshës dhe parametrave tjerë ekonomikë të sotshëm.

Për ta përmbyllur këtë, interpretimi më i thjeshtë i rezultatit të publikimit me titull “Parashikimi i popullsisë së Kosovës 2011-2061” dhe shtrembërimi i situatës demografike në Kosovë është se GDP-ja për kokë banori do të rritet pa ndonjë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik; buxheti shtetëror lirisht mund të zvogëlohet; dhe investimet në ekonomi edhe në sektorë tjerë që ruajnë mirëqenien e popullit, janë të mjaftueshme dhe në një të ardhme mund edhe të zvogëlohen. A mund të kemi dëm më të madh se kaq? E kësaj radhe kujt po i mbetet faji?

Po të ishte ky rezultat i besueshëm, sikur me të vërtetë popullsia jonë është duke shkuar kah stagnimi apo zvogëlimi me hapa kaq të shpejtë, atëherë qeveria jonë duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për zhvillimin e politikave popullative pronataliste. Një situatë e tillë demografike është vështirë e riparueshme. Nevojitet një zhvillim shumë i madh ekonomik që nëpërmjet beneficioneve të ndryshme të arrijë të stimulojë popullatën që të rrisë numrin e pasardhësve.

(Autorja është doktore e shkencave të Demografisë dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës)
 

Exit mobile version