Site icon Telegrafi

Pasojat e pandemisë COVID-19, nga muaji maj u mbyllen rreth 40 për qind e bizneseve në Shqipëri

Kriza e shkaktuar në ekonomi nga pandemia COVID-19 dhe kufizimet për të frenuar përhapjen e saj kanë ndikuar negativisht aktivitetin e bizneseve, sidomos atyre të vogla.

Këto të fundit nuk kanë arritur të përballojnë mbylljen e detyruar disa javore të aktivitetit, tkurrjen e konsumit, apo kufizimet në orare që ende vijojnë.

Të dhënat për subjektet që kanë kaluar në status pasiv, që përditësohen çdo ditë nga Drejtoria e Tatimeve dhe janë publike në faqen e saj, tregojnë se në nga 1 maji (kur filloi heqja graduale e kufizimeve) deri në 31 dhjetor, subjektet që kanë kaluar në status pasiv janë rritur me 38 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithsej janë rreth 6,600 subjekte që rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve passive në periudhën në fjalë, nga rreth 4,800 për maj-dhjetor 2019.

Të dhënat, sipas drejtorive rajonale tatimore, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se rajonet që e kanë të bazuar aktivitetin te turizmi kanë dhe rritjen më të lartë të mbylljeve të bizneseve për janar-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të 2019-së, kur dhe turizmi arriti në kulmin e vet.

Në Vlorë, bizneset e kaluara në status pasiv për periudhën në shqyrtim janë 107 për qind më të larta se një vit më parë. Në Sarandë, mbylljet janë rritur me gati 60 për qind, në Shkodër me 64 për qind, në Korçë me 56 për qind. Në Kukës, ku përfshihet dhe Tropoja, që vitet e fundit ka zhvilluar turizmin malor, pezullimet e subjekteve janë rritur me 74 për qind.

Më i favorizuar ka qenë Durrësi, ku bizneset për shkak të afërsisë me Tiranën dhe fluksit të lartë të shtetasve nga Kosova në shtator-tetor duket se kanë arritur të rezistojnë disi. Mbylljet e subjekteve, sipas Drejtorisë tatimore Rajonale Durrës janë rritur me 16 për qind me bazë vjetore, në maj-dhjetor 2020.

Krizës nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, ku veprojnë rreth 40 për qind e subjekteve të regjistruara në vend. Numri i bizneseve të kaluara në status pasiv në Tiranë është rritur me 35 për qind për periudhën në shqyrtim.

Të dhënat e tatimeve tregojnë se në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme dyshifrore, me përjashtim të Lezhës me 7.6 për qind dhe Dibrës, që është e vetmja ku numri i subjekteve të mbyllura është më i ulët se në 2019-në me 10.4 për qind.

Mbyllja e bizneseve ka ndikuar dhe në rritjen e numrit të të papunëve në vend. Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë që u referohen të dhënave administrative (të punësuarit me pagë të deklaruar zyrtarisht) tregojnë se, numri i të punësuarve ka rënë me gati 30 mijë persona gjatë 9-muajve të 2020-së, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-së.

Sipas të dhënave administrative, shihet se nga totali prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë një viti, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror (për të papunët në sektorin bujqësor, të dhënat administrative i referohen Anketës së Forcës së Punës).

Në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga Anketa, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë. Ndërsa në 3-mujorin e tretë, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës.

Të dhënat e tjera sipas qarqeve, tregojnë se në rajonet ku mbylljet e bizneseve kanë pasur rritur më të lartë, kjo ka ndikuar në shtimin e papunësisë.

Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës panë rritjen më të lartë vjetore te papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare që referohen nga Anketa e Forcave të Punës.

Të dhënat mbi papunësinë sipas qarqeve tregojnë se Shkodra shënoi një rritje të treguesit në tremujorin e tretë me 6.4 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, duke arritur në 15 për qind nga 8.6 për qind në tremujorin e tretë 2019.

Pas Shkodrës, Vlora ishte qarku i dytë më rritjen e më të lartë të papunësisë me 3.3 pikë përqindje në raport me një vit më parë, e ndjekur nga Korça me 2.4 pikë përqindje rritje, Lezha me 2.4 pikë përqindje, Elbasani me 1.6 pikë përqindje dhe Berati me 0.5 pikë përqindje.

Në krahun tjetër Dibra dhe Gjirokastra shënuan rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë përkatësisht me 3 pikë përqindje dhe 1.9 pikë përqindje. Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës në këto qarqe ka ndikuar tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër.

Me tej normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në qarkun e Tiranës me 1.7 pikë përqindje, Durrësit 1.5 pikë përqindje, Fierit 1.3 pikë përqindje dhe Kukësit me 1.3 pikë përqindje. /Monitor/

Exit mobile version