Site icon Telegrafi

Pasojat e paktit Rama-Meloni, mediat italiane kryqëzojnë kryeministren

Pakti i kryeministres italiane Xhorxhia Meloni për emigrantët mund të prodhojë një konflikt të ri mes politikës dhe gjykatave.

Ky është komenti që del në mediat italiane një ditë pas rrëzimit të marrëveshjes për emigrantët, ndërsa tashmë është koha për opozitën të zhvillojë politikat e saj.

Mediat italiane kanë pasqyruar me komente politike rrëzimin e paktit Rama-Meloni për çështjen e emigrantëve, i cili duket se dështoi në mënyrë spektakolare.

TG SKY 24 shkruan se vendimi i gjykatës për mbylljen e kampit në Shqipëri nuk është një derbi i zakonshëm mes politikës dhe drejtësisë. Këtë herë konflikti lidhet me kompetencat e shtetit dhe një çështje delikate që paralajmëron një përplasje sistematike.

Kjo mund të kuptohet nga mënyra se si kryeministrja Meloni e komenton vendimin e gjyqtarëve në Romë, të cilët kërkuan që qeveria të rikthejë në Itali 12 emigrantët.

Ndërsa La Repubblica pasqyron atë që ndodh një ditë pas vendimit të Gjykatës, ku anija e rojes bregdetare ka marrë 12 emigrantët, pas dekretimit nga drejtësia.

Corriere della Sera ndalet tek modeli, i cili mund të huazohej edhe në vendet e tjera të Europës, por që vendimi i drejtësisë italiane e hodhi në erë si ide.

Marrëveshjet me vendet e pazhvilluara dhe ndihma për shtetet bregdetare afrikane kanë prodhuar një rënie në ardhjet e emigrantëve ilegalë.

Është po aq e vërtetë që opozita tashmë ka një moment të mirë për të denoncuar ‘shpërdorimin e parave publike’ për kampin në Shqipëri, që ‘nuk mund të përdoret më’./Euronews Albania/

Exit mobile version