Vendimi i Komisionit Europian që qytetarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë t’u hiqen vizat nga 1 janari i vitit 2010, por që nga ky proces të përjashtohen Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, më shumë, ose aq sa është çështje teknike, është edhe çështje politike. Edhe Komisioni Europian e pranoi se jo shumë larg Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ishte Serbia në përmbushjen e kritereve. Megjithatë ndarja ndodhi, ani pse u tha që Shqipëria e Bosnjë e Hercegovina janë në dhomën e pritjes, që do të thotë se janë në “Listën e Bardhë” të liberalizimit të vizave, por se u duhet ende kohë për t’i plotësuar të gjitha kushtet e parashtruar. Por, më keq se këto dy shtete, ka pësuar Kosova kësaj radhe, e cila nuk ka asnjë shpresë, se do të mund të gjendet shpejtën brenda “Listës së Bardhë”.
Kosova, një vend i administruar nga OKB-ja që prej vitit 1999 deri në vitin 2008, dhe që nga 17 shkurti 2008, kur shpalli pavarësinë, e vendosur nën “protektoratin” e Bashkimit Europian (BE), mbetet vendi me më së paku perspektivë evropiane në Ballkanin Perëndimorë. Një investim i bërë dhe monitoruar për vite të tëra nga OKB-ja dhe BE-ja duke se nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta futur Kosovën në rrugën e saj të integrimeve. Të paktën kështu na ngjanë nga ajo që kemi dëgjuar dhe lexuar ditëve të fundit brenda mesazheve të Brukselit për procesin e shumëpritur të liberalizimit të vizave, që konsiderohet si hapi i parë në rrugën drejtë integrimit të Ballkanit Perëndimorë në BE.
Ky përjashtim i Kosovës, sipas këtyre burokratëve në Bruksel, është rrjedhojë e pasigurisë që prodhon Kosova, jo vetëm për veten e saj, por për rajonin dhe vetë Bashkimin Europian. Sipas asaj që thonë ata, heqja eventuale e vizave për qytetarët e Kosovës, do të thotë importim i pasigurisë brenda BE-së. Sipas një studimi të bërë nga Organizata: Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI), brenga për rrezik pasigurie që mund të shkaktojn kosovarët, ka bërë që Komisioni Europian as të mos e përmend mundësinë për një proces të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Komisioni Europian madje ishte gati të shkonte deri në ekstrem për ta refuzuar Kosovën dhe qytetarët e saj, kur i kërkoj Serbisë, vendit që qytetarët e Kosovës, jo vetëm ata serbë, e mendoni si adresë për mundësinë e marrjes së një pasaporte biometrike si mundësi lëvizje pa viza, që pasaportave që lëshohen për qytetarët e Kosovës t’u vendoset një “K”, si shenjë identifikuese për t’u ndaluar dhe kthyer prapa në kufijt e vendeve të BE-së.
Ky mendim fillestar i burokratëve në Bruksel, neve, njerëzve në Kosovë na kujton apo na ngjanë në diçka tjetër, në fatkeqësinë që u kishte ndodhur hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur forcat nazi-fashizet u vendosnin nga një shenjë, si element identifikuese për t’u diskriminuar, internuar dhe shfarosur me vonë, të cilën logjikë po kjo Europë e ka luftuar. Megjithatë, ne duhet të besojmë se burokratët në Bruksel nuk kanë menduar vërtet kështu, por se ka qenë më tepër një mendim i paqëllimshëm dhe i pa menduar mirë.
Sido që të jetë, as vendimi i ndryshuar nuk ka ndihmuar Kosovën dhe qytetarët e saj. Këta qytetarë edhe pa shenjën “K” mbeten me të izoluarit dhe përjashtuarit nga mundësia e hapjes së një faqe të re në historinë e tyre të post-luftës.
Qytetarët e Kosovës më shumë se për çdo gjë tjetër tani kanë nevojë që t’u shtrihet dora e ndihmës, e cila gjë nënkupton bashkimin me vlerat që sot ndajnë 27 shtetet e bllokut të BE-së. Në vend të kësaj shtrirje të dorës, qytetarëve të Kosovës u është ofruar refuzimi, duke i “burgosur përbrenda një enklave të re, edhe me të vogël se ajo e deritanishme”. Organizata ESI thotë tani “vetëm për kosovarë nuk ka shpresë. Propozimi për kosovarët është një tmerr”, e cila gjendje mund t’i dërgoj këta të burgosur në zgjidhjen me të keqe, vetëvarjen brenda qelisë, si masë për të shpëtuar nga vetmia.
Kush i ka fajet për këtë shans të humbur? Burokratët nga Brukseli deklaruan se fajtorë nuk është Komisioni Europian, por autoritete e vendeve që nuk janë përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, ku hynë edhe Kosova, sepse ato nuk i kanë përmbushur kriteret e parapara. Kjo përgjigje është e saktë, për periudhën pas 17 shkurtit të vitit 2008, kur Kosova është shpallur shtet i pavarur. Por, çka bëri BE-ja dhe OKB-ja që ta përgatisin Kosovën për këtë proces gjatë nëntë vite të administrimit të saj nga ana e tyre?
Nga ajo që dëgjojmë, rezulton se qytetarët e Kosovës kanë humbur nëntë vite kot, dhe se u duhet të rifillojnë gjërat. “Kosova nën Rezolutën 1244 nuk ka qenë pjesë e dialogut të vizave dhe për këtë, sikur edhe për shkaqe të sigurisë, nuk do të përfitojë nga liberalizimi i vizave”, ka thënë Oli Rehn, Komisioneri për zgjerim i BE-së. Kjo sugjeron se Kosovës i duhet një fillim i ri tani, me një ritëm turbo-të shpejtë, që do të ishte barazi me një përfundim brenda periudhës 2015-2020.
Pra, që nga tani qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për skenarin e mërzitshëm të deklaratave dhe kundër-deklaratave rreth procesit të integrimit në Bashkimin e Europian për rreth një dekadë. Kjo përforcohet edhe më shumë nga deklarimet e burokratëve të BE-së, që Kosovën e konsiderojnë ende si një vend të qeverisur nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra, BE-ja as shtet nuk po na njeh, që do të thotë një pengesë më shumë, ngase BE-ja bisedon vetëm më shtet të pavarura për këtë proces. Atëherë, si do të përfshihet Kosova në këtë proces, nëse nuk njihemi si shtet nga ana e saj?
Ky shpjegim, edhe pse është konfuz dhe i papërgjegjshëm, vertetton tezën se, Kosova nuk është përballur vetëm me pengesa teknike, siç thuhet, kur është injoruar nga Komisioni Europian, por më shumë me pengesa politike. Pesë vende anëtare, nga 27 sa ka Bashkimi Europian, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato po ia arrijnë që të bllokojnë ecjen përpara të proceseve në relacionin Kosovë-BE.
Ky realitet është tepër i rend për Kosovën, kur dihet se ajo edhe ashtu nuk ka aftësitë dhe kapacitete për të bërë gjëra të mëdha brenda një kohe të shkurtër. Madje qeveria e Kosovës edhe ato gjëra që ka mundur t’i bëjë, nuk i ka bërë, e që kanë qenë themelore. Komisioni Europian ka të drejtë në pikën kur thotë se Kosova nuk ka plotësuar kriteret për t’iu liberalizuar vizat dhe askush nuk është duke amnistuar qeverinë e Kosovës nga përgjegjësia, pse nuk ka përmbushur asnjërin nga kriteret kryesore për këtë proces, që ka kërkuar Komisioni Europian.
Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta fitojë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjyqësia është katastrofë, e korruptuar dhe e politizuar. Siguria ka shkruar drejtë degradimit këta muaj. Kufijtë nuk mund të sigurohen dhe garantohen se dikush nuk mund t’i keqpërdorë ata. Ekonomia është për toke dhe zhvillimi ekonomik nuk shihet askund në horizont. Madje as procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ka filluar, të cilin po BE-ja është duke e bllokuar.
Por, qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarr as hapin me të lehtë që ka pasur mundësi ta bëjë, lëshimin e pasaportave biometrike. Ky element ka pasur mundësi të bëhet për mrekulli dhe shumë lehtë, sepse rrethanat ia kanë mundësuar për ta filluar këtë proces që nga fillimi i këtij viti. Ka mjaftuar që qeveria ta shtynte procesin e nxjerrjes së pasaportave që kemi tani për gjashtë muaj, i cili hap do të mirëkuptohej nga qytetarët e Kosovës, dhe të fillohej këtë vit më dhënien e pasaportave biometrike, dhe për këta gjashtë muaj do të ishin pajisur më mijëra veta. Ky hap do ta ndihmonte shumë Kosovën, që nëse jo t’i liberalizoheshin vizat, të paktë të futej në “Listën e Bardhë” të pritjes, siç është Serbia tani.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, sepse dikujt i është ngutur të hapet tenderi për prodhimin e pasaportave të shekullit XX, e që të njëjtat të ndërrohen pas një viti, që i bie një punë dhe harxhime kot, ani pse është pretenduar se po bëhet një punë patriotike, por që po na del se ishte nje ngutje për propagandë të brendëshme politike. Burokratët e Brukselit e kanë vërejtur se një nga pengesat e dështimit të këtij procesi, janë dallaveret me tenderë. Kosova me këto pasaportat që ka tani po rezulton se është një vend i izoluar, sepse përveç katër shteteve të rajonit që na lejojnë udhëtimin pa viza, të tjerat nuk duan as të dëgjojnë.
Për këto çështje Europa ka kërkesa konkrete ndaj institucioneve të Kosovës, të cilave u benë thirrje që të jenë më aktive në arritjen të standardeve për liberalizimin e vizave. Të kota janë raportet e lexuara në Kuvendin e Kosovës, ku diskutohet për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, në kohën kur të gjithë qytetarët dhe e gjithë Europa e mori vesh se Kosova nuk është në asnjë listë dhe agjendë të Bashkimit Europian për t’u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, si hap i parë drejtë integrimit.
Sipas një studimi të organizatës “Forum 2015”, refuzimi për të marr një vizë nga kosovarët në ambasadat e shteteve te BE-s është 37% në Kosovë dhe për të plotësuar dokumentet për një vizë, një qytetari të Kosovës i duhet të harxhoj rreth 120 euro, që është përqindja me refuzuese dhe pagesa me e lartë në rajon. Madje për qytetarët e Kosovës problemi rendohet edhe më shumë, ngase edhe nëse kanë viza shengen në pasaportat e tanishme nuk mund të shkojnë në të gjitha 28 shtete që janë brenda zonës shengen, por vetëm ne shtetin qe u ka lëshuar vizën. A nuk është e gjitha kjo një “GETO” për njerëzit që jetojnë në Kosovë?
Ambasadori i Austrisë ne Kosovë nuk është dakord me termin “GETO” dhe se për të kjo fjalë nuk duhet të ekzistojë, kur bëhet fjalë për shtetin më të ri. Për të, dhe të gjithë ndërkombëtarët që shërbejnë në Kosovë, Kosova është një vend i bukur. Natyrisht se është i bukur, sepse këtu ndërkombëtarët i kanë të gjitha të mirat dhe askush nuk ua prishë “as timin e duhanit”, sepse politika e Kosovës veç u përkulet dhe lutet që karriget të mos ua prekin, ndërsa që çështjet tjera i kanë në dorën e tyre për të vendosur. Pra, ne në Kosovë përballemi me një politikë qeveritare servile dhe nënshtruese dhe jo me një politikë që është kërkuese dhe reaguese për dhe ndaj të drejtave që na takojnë.
Por, një dritë në fund të tunelit po shihet, falë disa zërave kritikues nga politika, diplomacia, shoqëria civile dhe media që janë ngritur brenda vetë shteteve të BE-së, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit të Komisionit Europian. Ata kanë të drejtë, vetëm se na duhet edhe neve që t’u bashkohemi, ngase ai vendim nuk ka kuptim në një kohë kur Bashkimi Europian është i pranishëm në Kosovë, me dy misionet e saja: EULEX dhe ICO, që dëshmon një përfshirje të saj si kurrë më parë në historinë, gjë që e benë të papranueshëm dhe padurueshëm futjen në këtë geto-izim. Nëse Kosova është vërtetë vend i pasigurt dhe që prodhon pasiguri, siq thotë BE-ja, atëherë ajo duhet ta thotë se nga vjen kjo pasiguri apo rrezik, sepse i kanë mekanizmat kryesor të sigurisë në dorë. Kjo do të ndihmonte edhe Kosovën, sepse do të eliminonte një kërcënim.
Në të kundërten e kësaj “kredibiliteti i BE-së në Kosovë do ta vuajë prej këtij procesi”, thotë ESI, në njërën anë, dhe në anën tjetër duhet thenë se qytetarët e Kosovës, në një mënyrë apo tjetër do të futen përsëri në vendet e Bashkimit Europian. Hyrja përmes liberalizimit të vizave dhe proceduarave legale në vendet e BE-së, është me pak e rrezikshme dhe e kushtueshme për vetë BE-në, sesa hyrja ilegalisht dhe në mënyrë të paverifikuar. Mbase, frika nga emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovë në vendet e Bashkimit Europian, nëse do t’u liberalizoheshin vizat, është çështja e dytë, pas asaj politike, që Kosova mbeti jashtë procesit të liberalizimit të vizave, duke u geto-izuar.