Telegrafi

Pasojat e neglizhencës në BQK

Prej tetorit të 2010-së, kur bordi i BQK’së vendosi për shkarkimin e guvernatorit Rexhepi, nuk është marrë asnjë vendim tjetër. Me këtë ligj nuk parashihet se sa mund të qëndrojë një guvernator si U.D në krye të kësaj banke. Këshilltarë për çështje juridike në zyrën e kryeparlamentarit thonë se vetë bordi vendos se kur mund të zgjidhet guvernatori, shkruan sot Express.

Sidoqoftë, zyrtarë në BQK thonë se, sipas ligjit, ky institucion mund të funksionojë me ushtrues detyre deri në plotësimin e pozitës së guvernatorit. “Deri në plotësimin e pozitës së guvernatorit , ligji e përcakton shumë qartë se në mungesë të guvernatorit pavarësisht rrethanave, në BQK nuk mund të ketë vakum, pasi që njëri nga zëvendësguvernatorët emërohet nga bordi i bankës në cilësinë e U.D të guvernatorit dhe me këtë ushtron detyrat dhe përgjegjësitë në kuadër të kompetencave që ka guvernatori”, thotë zëdhënësi i BQK’së, Besnik Kada.

Prej shkarkimit të Rexhepit, Kada tregon se bordi ka marrë një sërë vendimesh, të cilat janë edhe në ueb faqen e BQK’së. Eksperti bankar, Bedri Selmani, thotë se edhe pse kjo bankë është përgjegjëse për politikat monetare në vend, ajo sipas tij, për shkak të situatës së tanishme me vështirësi po arrin që të ketë politika të mirëfillta monetare. /Telegrafi/