Numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 në mbarë botën gati i është afruar shumës prej 2 milionë, derisa në shumicën e vendeve po vazhdon karantinimi me shpresën se kështu do të parandalohet përhapja e mëtejme e coronavirusit, raporton euroneës.
Presidenti francez Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se masat e bllokimit janë zgjatur që fillimisht ishin paraparë të përfundojnë më 17 mars, dhe me vendimin e ri ato do të jenë në fuqi deri më 11 maj, transmeton Telegrafi.
Të dhënat e fundit tregojnë se virusi ua ka marrë jetën 14.967 personave në Francë, si dhe mbi 90 tjerë janë konfirmuar të prekur me COVID-19. Ndërkaq në Britani të Madhe më shumë se 11 mijë persona kanë humbur jetën. E kujtojmë që një ditë më parë kryeministri britanik Boris Johnson, është liruar nga spitali pasi ishte shtrirë si rezultat i infektimit me COVID-19.
Në disa vende tjera që janë goditur rëndë nga virusi vdekjeprurës masat mbrojtëse janë zbutur paksa: Në Spanjë, punonjësit e disa industrive u është lejuar të rikthehen në punë pas dy javëve bllokimi total.
Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar vendet nga e mbarë bota që t’i shqyrtojnë mirë vendimet për zbutjen e masave mbrojtëse kundër COVID-19, pasi sipas tyre një gjë e tillë duhet bërë ngadalë dhe në mënyrë të kontrolluar.
“Nuk mund të ndodhin të gjitha për një ditë”, ka deklaruar kreu i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins që monitoron gjithçka sa i përket coronavirusit, 1.9 milion njerëz në mbarë botën janë infektuar me COVID-19, derisa 120 mijë tjerë kanë humbur jetën. Megjithatë 449.600 tjerë kanë arritur të shërohen. /Telegrafi/