Site icon Telegrafi

Paskajorja e të keqes në Kosovë

Babai me tha mua, atë që atij ia kishte pas thënë babai i tij, kurse babait të tij i kishte pas thënë gjyshi i babait tim e kështu me radhe shekuj më parë, se “jeta nuk është gjë tjetër biro veç të jetohet me dinjitet”.

E gjithë kjo është një lojë psikologjike, sepse të diturit të dinjitetshëm vuajnë çdo ditë nga ngjarje dhe peizazhet e pakëndshme që i percepton optika e tyre. Kurse të kamurit e paditur dhe të padinjitetshëm, çdo ditë i ndërrojnë fytyra me buzëqeshjet e tyre false, duke menduar se bota të cilës i përkasin është kopshti i tyre.

Çudirat në vendin tonë nuk kanë të ndalur asnjëherë, kam shumë arsye për ta thënë këtë!?. Sa herë i lëkundet karrigeje ndonjë politikani tonë, çdoherë popullin e ke në rrugë, me slogane e brohoritje që simpatizuesi të qëndroj mbi kokat e tyre. Vallë a mendon ky popull i pafat ndonjëherë për vetveten, a ka mëshirë ndaj vetvetes, a ka respekt ndaj vetvetes, a mendon për bukën që se ka në shtëpi për ujin, burimi i të cilit çdo ditë e më tepër po shteret.

Për këtë fenomen, që çdo ditë sjellë varfëri dhe vuajtje “s’ke pse ngrihesh në protesta”, mjafton që lideri apo politikani tyre i preferuar të jetë shendosh e mirë. Ndërsa ky i fundit e bën lutjen e zakonshme “ruaje Zot këtë popull naiv” në dobi të shëndetit dhe pasurisë sime.

Plojë e vërtet në ndërdijen e këtij populli, ka mbetur në mes të rrugës “O Fetah, o Fetah, as me ne as me ata!?”, ka mbetur ne mes të “shkretëtirës”, ta kërkoj “oazën”, por fatkeqësisht e ka humbur rrugën. Ose është e kundërta, janë bërë shumë udhërrëfyes dhe populli nuk din se kah të orientohet dhe kështu dita ditës lodhet për vdekje. Pastaj udhërrëfyesit ikin e lënë popullin në mes të rrugës, pa u mërzitur fare, pa e pasur pikën e dhembshurisë dhe dinjitetit. Megjithatë popull din të fal, kështu që i njëjti avaz vazhdon sërish e sërish, populli prapë se prapë mbetet pa udhërrëfyes.

Është vështirë të ndryshohet mentaliteti i këtij populli, asnjëherë nuk mësoi të bëhet vetvetja, ta respektoj vetveten. Respekton të tjerët, të cilët nuk dinë t’ua kthejnë atë, voto partinë, voto deputetët që të të përfaqësojnë në Parlament, por ata e përfaqësojnë vetveten dhe tërë kohën flenë në gjumë.

Sa i përket ministrave, fatmirësisht nuk duhet të votohet për ta, megjithatë zgjidhen nga partitë, edhe ashtu nuk duhet të kenë ndonjë kredencial, mjafton të jesh vasal i përkëdhelur i partisë dhe gjithçka është në rregull. Kështu që nuk kemi pse të qahemi, ne jemi ata që të keqes po ia zgjasim dorën dhe të këqijat nuk do të kenë të ndalur asnjëherë.

Exit mobile version