Rebelët në rajonin e Papua-s Perëndimore të Indonezisë kanë publikuar një seri pamjesh të tyre në të cilat thuhet se shihen me një pilot që u mor peng javën e kaluar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Phillip Mark Mehrtens, nga Christchurch, Zelanda e Re, u kap të martën e kaluar nga “luftëtarët e pavarësisë”.
Ata sulmuan aeroplanin e tij me një motor, menjëherë pasi ai u ul në një aeroport të vogël në Paro.
Aeroplani, i operuar nga kompania indoneziane e aviacionit Susi Air, mbante pesë pasagjerë dhe rreth 450 kg furnizime minierash.
Rebelët liruan pasagjerët indigjenë papuan dhe i vunë zjarrin aeroplanit, tha zëdhënësi i rebelëve Sebby Sambom.
Piloti ishte planifikuar të merrte 15 punëtorë ndërtimi që kishin ndërtuar një qendër shëndetësore në Paro pasi një grup rebelësh, të udhëhequr nga Egianus Kogoya, i kishin kërcënuar se do t’i vrisnin, tha shefi i qarkut Nduga, Namia Gwijangge.
Gwijangge, i cili ishte një nga pasagjerët, tha: “Plani ynë për të evakuuar punëtorët zemëroi rebelët, të cilët u përgjigjën duke i vënë zjarrin aeroplanit dhe duke kapur pilotin.
“Na vjen thellësisht keq për këtë incident”.
Grupi publikoi imazhe të disa personave të armatosur që i vunë zjarrin aeroplanit në pistë.
I ulur në kabinën e aeroplanit, Kogoya tha se ai mori peng pilotin si pjesë e luftës së tyre ‘për të çliruar Papua-n’ nga Indonezia.
Një video tjetër tregoi një burrë të identifikuar si Mehrtens duke qëndruar në një pyll të rrethuar nga një grup njerëzish të armatosur me pushkë, shtiza dhe harqe e shigjeta.
Në një video të tretë, ai u urdhërua nga rebelët të thoshte: “Indonezia duhet të pranojë se Papua është e pavarur”.
Ministri koordinues për çështjet politike, sigurinë dhe ligjore, Mohammad Mahfud tha se qeveria po bënte çdo përpjekje për të bindur rebelët të lironin Mehrtens “sepse prioriteti është siguria e pengut”. /Telegrafi/