Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Partia Progresive Serbe nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, pasi Ministria e Financave e SHBA-së i ka lidhur me krim të organizuar në veri të Kosovës.
“Sot kam marrë një raport joformal nga ambasada amerikane, duhet t’i zhgënjej – askush nga Veselinoviqi nuk na dha një dinar. Partia që unë drejtoj ka më shumë se mjaftueshëm fonde falë fondeve shtetërore dhe tarifave të anëtarësimit”, tha Vuçiq.
Ky i fundit ka shtuar se autoritetet amerikane i kanë akuzuar vëllezërit Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq kryesisht për tregti të paligjshme dhe se ai pret që në fund të akuzohen për “mos respektim të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Nëse ka akuza të rënda, autoritetet tona do t’i hetojnë të gjitha këto në të njëjtën sekondë, tha presidenti serb, shkruan N1.
Kujtojmë se Ministria Amerikane e Financave e ka cilësuar Zvonko Veselinoviqin si personin më të korruptuar në Kosovë, së bashku me 15 persona të tjerë dhe 24 kompani që operojnë si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë.
Thuhet se Veslinoviq i ka dhënë ryshfet forcave të sigurisë së Kosovës dhe Serbisë për kontrabandë të parave, narkotikëve dhe armëve. Në dokument thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij kanë pasur marrëveshje me politikanët – në shkëmbin të ndihmës që ofrojnë gjatë zgjedhjeve, ata do të lejohen të veprojnë lirshëm në veri të Kosovës. Gjithashtu grupi i udhëhequr prej Veselinoviqit dyshohet se ka vrarë edhe liderin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Afërsia e Andrej Vuçiqit, vëllait të Presidentit të Serbisë, dhe Zvonko Veselinoviqit, kriminelit serb nga Kosova, është spekuluar prej vitesh dhe këto pretendime për herë të parë janë konfirmuar nga fotot e tyre të përbashkëta të publikuara nga gazetarët e KRIK-ut.
Ata të dy janë fotografuar në restorantin “Salash 137” në Kopaonik në vitin 2015 teksa bisedonin, qeshnin dhe darkonin. Pas kësaj, BIRN publikoi një “selfie” që Veselinoviq bëri me Andrej Vuçiqin gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014 në agjencinë e reklamave Invictus Media. /Telegrafi/