Nexhmije Pagarusha ishte shtruar urgjentisht në emergjencën gjatë javës së kaluar.
Këngëtarja dhe diva e muzikës së mirëfilltë shqiptare, Pagarusha kishte pësuar një incident në banesën e saj.
Në media u përfol se këngëtares i kishte rënë në shpinë dollapi dhe pasi u nënshtrua ekzaminimeve mjekësore ajo tashmë është mirë.
Ajo së fundi i është drejtuar të gjithëve përmes një mesazhi në llogarinë personale në Facebook teksa ka falënderuar të gjithë ndjekësit dhe njerëzit e dashur për mbështetjen gjithashtu tregon se tashmë është mirë me shëndet.
“Përshëndetje të dashurit e mi. Dëshiroj t’iu falënderoj për të gjitha mesazhet që më keni dërguar duke më uruar shërim sa më të shpejtë. Shfrytëzoj rastin t’iu informoj se jam mirë dhe e gjithë kjo mbështetje nga ju më ka bërë të ndihem edhe më mirë! Jam shumë me fat që ju kam! E juaja Nexhmije Pagarusha”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj.
Këngëtarja Pagarusha gëzon epitetin “Bilbili i Kosovës”, kjo për shkak të karrierës së saj të bujshme si këngëtare e popullit.
Së fundmi, ajo solli një duet me këngëtaren Violetë Kukaj-Retkoceri, këngën “Mbushni gotat”, me çka shënoi edhe rikthimin në muzikë pas një mungese të gjatë. /Telegrafi/