Këngëtari amerikan, Chris Brown është liruar pa pagesë në Paris, pasi u ndalua nga autoritetet policore franceze shkaku i një denoncimi për përdhunim të një vajze.
Hetimet po vazhdojnë rreth incidentit të pretenduar në hotelin Mandarin Oriental, njoftoi zyra e prokurorit të kryeqytetit francez.
Ylli dhe dy meshkuj të tjerë u arrestuan të hënën pasi një grua 24-vjeçare pretendoi se ishte sulmuar seksualisht nga reperi.
Momenti kur do të përjetonte përdhunimin vinte nga një takim me reperin në tualet, mësohet t’i ketë thënë vajza revistës “Closer”.
“Unë shkova në banjë. Chris Brown më ndoqi dhe më kapi nga krahu. Ai më futi në një dhomë zhveshjeje dhe mbylli derën. Zgjati 25 deri 30 minuta. Është e vështirë për mua ta tregoj në detaje se çfarë bëri ai, por ishte brutale dhe e dhunshme. Ai më kërcënonte dhe ishte agresiv. Kisha frikë. Sapo përfundoi, hapi derën. I thashë se dua të marr celularin e të shkoj në shtëpi”, ka pohuar 24-vjeçarja.
Pas lirimit, Brown publikoi një fotografi montazh në llogarinë personale në Instagram duke thënë se gjithçka ishte gënjeshtër.
“Unë dua ta bëj plotësisht të qartë, kjo është gënjeshtër” shkroi ai në Instagram, së bashku me një foto ku shkruante “Lavirja po gënjen”.
Megjithatë, rasti i sotëm nuk ka qenë problemi i tij i parë me ligjin, kjo pasi vite më parë ai ka qenë i dënuar për një sulm ndaj ish-të dashurës së tij, këngëtares Rihanna.
Ai u dënua me pesë vjet me kusht në shërbim të komunitetit për sulm ndaj ish-të dashurës së tij, Rihannës në vitin 2009.
Ndryshe, këngëtari ka filluar punën rreth këngëve të reja si dhe do të mbajë disa koncerte të ndryshme. /Telegrafi/