Telegrafi

Pasi u dënua sërish me burg, Navalny: Dikush nuk dëshiron të jem i lirë

Alexei Navalny, një nga kritikët më të shquar të presidentit, Vladimir Putin, u arrestua në kufirin rus më 17 janar për shkelje të pretenduara të lirimit me kusht pas kthimit nga Gjermania ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me një agjent nervor të shkallës ushtarake.

Opozitari rus pak çaste më parë është dënuar me 3.5 vjet burg, por i cili pritet të shkurtohet pasi që do të llogaritet edhe arresti shtëpiak dhe periudha e paraburgimit, raporton reuters.

“Dikush nuk donte që unë të bëja një hap të vetëm në territorin e vendit tim si një njeri i lirë. Dhe ne e dimë kush dhe ne e dimë pse – urrejtja dhe frika e një njeriu, që jeton në një bunker, të cilin unë e ofendova duke mbijetuar kur u përpoq të më vriste”, tha Navalny.

Sipas pretendimeve të mëparshme të autoriteteve ruse, Navalny dhe vëllai i tij dëmtuan financiarisht kompaninë e Yves Rocher, për të cilën ata morën dënime me kusht me burg prej tre vjet e gjysmë.

Navalny u sëmurë gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në Gjermani. /Telegrafi/