Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitin për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajaziti. Vendimi u mor pasi lënda u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Ky vendim është mirëpritur nga familjarët e Donjeta Pajazitaj. Nëna e saj thotë se tash e tutje do të ndjehet më e lehtësuar.
“Rasti është i rëndë. Por pas këtij vendimi të gjykatës ndjehemi më të lehtësuar. Gjykata mori një vendim të drejtë dhe ai është dënuar siç e ka merituar”, shprehet për RTV Dukagjinin, nëna e Donjeta Pajazitit.
Edhe vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, thotë se vendimi i gjykatës ishte i drejtë. Ai thotë se ky vendim është dashur të merret më herët.
“Unë po ndjehem shumë mirë sepse u dënua një persona që e ka krye një vepër. Kur gjykata ka shpallë vendimin e parë, kemi pasur vuajtje të mëdha. Tash pak a shumë na është lehtësuar vuajtja pas këtij vendimi të ri”, deklaroi Shkëlqim Pajazitaj, përcjell Telegrafi.
Gjykata deri të ky vendim i ri erdhi pasi u paraqitën prova të reja që kanë munguar më herët.
Naser Pajazitaj më herët ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit më pas kishte kthyer lëndën për rigjykim./RTV Dukagjini/Telegrafi/