Telegrafi

Pasi rezultoi pozitiv në testin e COVID-19, kryeministri rus vetëizolohet – e njofton Putinin përmes video-thirrjes

Kryeministri rus Mikhail Mishustin, është hospitalizuar pasi që ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv në testin e coronavirusit.

54-vjeçari që postin e kryeministrit të Rusisë e mori në janar të këtij viti, përmes një video thirrjeje të realizuar ia ka kumtuar lajmin presidentit të vendit Vladimir Putin, duke pranuar se vuan nga infeksioni i COVID-19, transmeton Telegrafi.

“Kam rezultuar pozitiv në testin e coronavirusit. Sipas udhëzimeve të mjekëve, më duhet të vetëizolohem dhe të ndjek me kujdes këshillat e mëtutjeshme të mjekëve”, ka deklaruar Mishustin.

Të gjithë që gjatë javëve të fundit kanë pasur kontakt me Mishustinin do të izolohen dhe testohen për COVID-19. Ndërkaq Mishustin ka deklaruar se do të vazhdojë të punojë si zakonisht, dhe se planifikon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët që do ta informojnë për gjithçka përmes telefonit.

Në anën tjetër presidenti i Rusisë e ka emëruar ushtrues detyre të kryeministrit, zëvendësin e Mishustinit, Andrey Belousova. /Telegrafi/