Telegrafi

Pasi polici ia vuri gjurin në qafë, burri me ngjyrë ndërroi jetë – vdekja e tij ndez protesta të ashpra në SHBA

Dy ditë pas vdekjes së një burri pangjyrë, të paarmatosur, në duart e një oficeri policie, protestuesit marshuan në rrugët e të paktën tre qyteteve të mëdha të SHBA.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, në Minneapolis, ku George Floyd u vra të hënën, u shënua nata e dytë e protestave, të cilat u karakterizuan edhe nga plaçkitjet dhe zjarret ndërsa turma të protestuesve u përplasën me policinë, të cilët qëlluan përsëri me gaz lotsjellës, sipas vëzhgimeve nga ekipi i CNN në vendin e ngjarjes dhe policia.

Guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, i cili paralajmëroi mbrëmjen e së mërkurës për një “situatë jashtëzakonisht të rrezikshme” në protestë, u bëri thirrje demonstruesve të qëndrojnë të qetë – një lutje e bërë nga familjarët e Floyd.

Ndryshe, herët në mëngjes të enjten, policia tha se një burrë u qëllua fatalisht pranë vendit të protestave.

Një person u arrestua dhe policia tha se ata po hetojnë natyrën e incidentit.

Ndërkohë, në Los Angjelos, qindra njerëz marshuan për të protestuar për vdekjen e Floyd dhe brutalitetin e policisë.

Në një moment, disa demonstrues sulmuan një makinë të patrullimit të policisë.

Këto protesta pasuan tronditjen dhe zemërimin që u pa nëpër komunitete në të gjithë vendin ndërsa videot e momenteve të fundit të Floyd filluan të qarkullojnë në mediat sociale.

Burri 46-vjeçar thuhet se u prangos dhe u rrëzua në tokë ndërsa u përgjërua se nuk mund të merrte frymë – ndërsa një oficer policie e mbajti poshtë, duke i mbajtur gjurin në qafë. Tre të tjerë ishin gjithashtu në vendin e ngjarjes.

Donald Williams, një dëshmitar në incident, i tha CNN se ai ishte gati të hynte në një dyqan kur vuri re ngjarjen.

Ai tha se ai e pa Floydin “duke u lutur për jetën e tij, duke kërkuar faljen e tij”.

Megjithatë, Floyd u shpall i vdekur në një spital aty pranë, menjëherë pas ngjarjes. /Telegrafi/