Mbrojtësi shqiptar i Atalantas, Berat Gjimshiti, ka luajtur me dhimbje për disa javë, në mënyrë që t’i ndihmonte skuadrës së tij që të kualifikohej në Ligën e Kampionëve.
Ai e kishte shtyrë për një kohë ndërhyrjen kirurgjike për korrigjimin e një hernie, ndërsa tashmë është operuar.
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë është operuar vetëm 48 orë pas përfundimit të sezonit 2018/2019 në Serie A, me ç’rast zikaltrit u kualifikuan në garën më të madhe evropiane për klube.
“Operacioni përfundoi, tash është koha për t’u shëruar”, ka shkruar Gjimshiti në Instagram, ku e ka publikuar edhe një fotografi nga spitali.
Atalanta kishte mungesa në mbrojtje në muajt e fundit të sezonit, duke qenë se Rafael Toloi ishte i lënduar, prandaj futbollisti shqiptar u detyrua ta duronte dhimbjen, në mënyrë që skuadra e tij të kishte sukses. /Telegrafi/