Telegrafi

Pasi e kuptuan se mësuesi i tyre po ecte çdo ditë pesë milje për të arritur në shkollë, nxënësit vendosën t’i blejnë një palë këpucë të reja

Një mësues nuk ka mundur të ndal lotët nga emocionet, kur nxënësit i dhuruan një palë këpucë të reja dhe këtë moment e filmuan me kamerë.

Cesar Punzalan, 50-vjeç, ecë çdo ditë rreth pesë milje nga shtëpia në shkollën ku jep mësim në Laguna të Filipineve, dhe për të përshkuar këtë distancë atij i duhen një orë kohë, transmeton Telegrafi.

E këtë gjë e kishin vërejtur nxënësit, ku madje disa prej tyre pretendojnë se këpucët që i mbathte mësuesi i tyre kishin vrima dhe pothuajse ishin dëmtuar plotësisht.

Dhe duke pasur parasysh faktin se njëri nga fëmijët e tij nuk ishte mirë me shëndet, vendosën të mbledhin një shumë të parave dhe t’ia blejnë një palë këpucë të reja.

E posa filloi mësimi dhe Punzalan u shfaq para dërrasës së zezë, nxënësit i dhuruan një kuti të kartonit brenda të cilës ishin këpucët.

Duke mos ditur për çfarë bëhej fjalë, vazhdimisht i pyeste nxënësit se për çfarë bëhet fjalë dhe se çfarë mund t’i kenë futur brenda kutisë.

Por, pasi e kuptoi se çfarë ishin, shpërtheu në lot nga emocionet dhe falënderoi publikisht nxënësit për këtë gjest human. /Telegrafi/