Pasi Gjykata Komerciale ka marrë vendim për ta kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje, kanë rinisur punimet në këtë rrugë të kryeqytetit.
Lajmin e ka bërë të ditur të martën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Punimet në ‘Rrugën A’ rinisën sot! Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku tutje është shprehur se “vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe”.
“Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë. Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot”.
“Ne vazhdojmë; ekipit të Kryeqyteti u themi puna e mbarë ju qoftë; e qytetarët e Prishtinës megjithatë nuk do të harrojnë!”, ka përfunduar i pari i LDK-së.
Ndryshe, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” sh.p.k, duke e kanë kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje në dhomën e shkallës së parë.
Vendimi i marrë më 16 nëntor 2023, thotë se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore. /Telegrafi/