Ndalimi i punës nga kontrollorët në aeroportin “Nënë Tereza” shkaktoi pritje dhe radhë të qytetarëve që do të udhëtonin të mërkurën dhe të enjten jashtë vendit.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që qëndronin që në orët e para të mëngjesit në ambientet jashtë aeroportit, punonjësit shpërndan ujë në shenjë solidariteti.
Mes udhëtarëve që prisnin kishte edhe pleq e fëmijë. Për mikrofonin e Euronews Albania ata tregojnë se pritjet ne aeroport ishin te gjata.
“Që në katër të mëngjesit jemi këtu”, tha një qytetare.
Një tjetër qytetare thotë se nuk po marrin zgjidhjen e duhur, por thjesht po i sorollasin.
“Tre herë në Kavajë, tre herë kemi ardhur këtu. Jemi në pritje, me 50 mijë lekë pensioni na bëjnë gjithë këtë sorollatje”, theksoi një tjetër.
Vonesat e udhëtimit për disa qytetarë ka krijuar probleme për ta në vendin e punës.
“Unë kam familjen, kam vendin e punës në Itali dhe në orën tetë duhet të isha në punë”, u shpreh një tjetër.