Telegrafi

Pas zotimit të Qeverisë se ka siguruar 500 mijë vaksina anti-COVID, reagon ish-ministri i Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar pas deklarimeve të Qeverisë se ka siguruar 500 mijë vaksina kundër COVID-19 nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech.

Në një postim në Facebook, Ismaili ka shkruar se është e dhimbshme që qytetarët e shteteve të rajonit kanë nisur vaksinimin kundër coronavirusit, e qytetarët e Kosovës ende nuk dinë nëse do t’i marrin vaksinat këtë vit apo jo.

Më poshtë lexoni postimin e plotë të Ismailit.

Është alarmuese përgjigja e kompanisë Pfizer-BioNTech për mediat kosovare se ende nuk kanë një marrëveshje të nënshkruar me Kosovën, dy ditë pasi që kryeministri deklaroi se tashmë vaksinat janë siguruar. Është e dhimbshme që, përderisa qytetarët e shteteve të rajonit kanë nisur vaksinimin kundër virusit, qytetarët e Republikës së Kosovës ende nuk e dijnë nëse do t’i marrin vaksinat këtë vit apo jo.

Prandaj, sonte, pa humbur kohë, Qeveria duhet të dalë me sqarime të shpejta dhe të plota, dhe të na tregojë të gjithëve se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë dhe a ka një marrëveshje të nënshkruar. Përndryshe, e gjitha kjo nguti e Qeverisë për t’u deklaruar rrejshëm, do të provohet që ishte tentim për të bërë fushatë e aspak për t’u dalë në ndihmë qytetarëve – fatëkeqësisht.

Qytetarëve u duhet një përgjigje sa më shpejtë!