Një shtëpi është përfshirë nga flakët e zjarrit sot rreth orës 07:30 në rrugën “Holger Petersen”, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
“Rreth orës 07:30, është raportuar se në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, një shtëpi është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar përveç dëmeve materiale”, ka thënë Borovci.
Tutje ai tha se aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Edhe komandanti i brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi bëri të ditur për Telegrafin se zjarri është lokalizuar dhe tashmë janë afër përfundimit të intervenimit. /Telegrafi/