Telegrafi

Pas zjarreve dhe vërshimeve, Australisë i kanoset një tjetër rrezik nga merimangat vdekjeprurëse

Australia ditëve të fundit është përballur me zjarre të mëdha në natyrë, vërshime dhe breshër.

Pas kësaj, tashmë një tjetër rrezik është shfaqur për qytetarët e këtij vendi. Ekspertët kanë paralajmëruar që njerëzit të kujdesen nga merimangat vdekjeprurëse, shkruan CNN, transmeton Telegrafi.

Duke qenë autoktone në shumicën e rajoneve pyjore në pjesën lindore të Australisë, disa lloje të merimangës rrjetë-hinkë janë të njohura për helmin e tyre shumë të rrezikshëm, i cili arrin efekt në mënyrë të shpejtë.

Zyrtarët e parkut të zvarranikëve me bazë në Somersby thanë se aktiviteti i këtyre merimangave është rritur ditëve të fundit.

“Për shkak të reshjeve të fundit dhe tashmë ditëve të ngrohta që po i përjetojmë, merimangat rrjetë-hinkë do të fillojnë të lëvizin. Ky lloj i merimangave janë ndër llojet më të rrezikshme në botë sa i përket kontaktit me njerëz dhe ne duhet ta trajtojmë këtë çështje shumë seriozisht”, tha zëdhënësi i këtij parku, Daniel Rumsey.

Ndërkaq Warren Bailey, pronar i ABC Pest Control në Sidnei tha se helmi i këtyre merimangave është shumë i rrezikshëm dhe mund t’i vrasë njerëzit, duke paralajmëruar se tash për tash ekzistojnë kushte të përkryera klimatike për përhapjen e tyre. /Telegrafi/