Një zënkë mes reperit, Fero dhe producentit dhe menaxherit të reperit, Azet, Jetmri Agaj ka ndodhur sot (e premte) në studion muzikore të këtij të fundit.
Përleshja ka ardhur pasi Fero ka kërkuar që të punoi për një projekt muzikore ndërsa Jetmiri ka thënë se për momentin ka punë tjera.
Pas kësaj, Fero ka shkuar në studio bashkë me truprojën e tij dhe ka filluar të kërcënojë me një revole, duke e drejtuar fillimisht drejt Jetmirt e më pas edhe ndaj menaxherit të reperit Bardhi, Emeriton Mataj.
Këtë e ka konfirmuar Jetmir Agaj në një prononcim për Telegrafin, i cili po ashtu tha se gjendet në emergjencë duke bërë kontrolle nga lëndimet e marra.
“Ka ardh në studio dhe ka filluar debatin, i kam thënë që menjëherë do ta raportoj gjithë rastin në polici, nga frika që po reagon dikush tjetër në studio, ia kanë drejtuar me revolen edhe menaxherit të reperit tjetër Bardhit, Emeriton Mataj, unë aktualisht janë në emergjencë duke bërë kontrolle”, ka thënë për Jetmir Agaj për Telegrafin.
Ndërsa, rastin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci tha se rreth orës 20:30 të dyshuarit e rastit janë paraqitur në stacionin policor dhe po vazhdohet ndërmarrja e procedurave të mëtutjeshme në koordinim me prokurorin e shtetit.
“Informata është pranuar rreth orës 15:30, për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Nebih Gashi” në Prishtinë. Nga të dhënat fillestare ëshëtëngritur dyshimi se dy të dyshuar, ku njëri nga ta dyshohet të ketë pasur dhe një armë, kanë sulmuar viktimën dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që të dyshuarit janë identifikuar nga ana e policisë menjëherë ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat që kanë karakterizuar ngjarjen. Së këndejmi rreth orës 20:30, të dyshuarit janë paraqitur në stacionin policor dhe policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme në koordinim me prokurorin e shtetit për të proceduar tutje”, ka thënë Borovci për Telegrafin.