Me 59 vota PËR, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë.
Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se me këtë rezolutë dialogu do t’i kthehet Kuvendit, dhe se tashmë ky dialog nuk udhëhiqet nga një individ.
“Deputetët janë ata që e marrin përgjegjësinë nga fillimi deri në fund. Kemi zotim për një ligj për dialogun. Kemi ligjin që do të procedohet shpejt për një kornizë të mjaftueshme ku vendimmarrja nuk monopolizohet por secili ka përgjegjës” ka thënë Sejdiu.
Ai ka ftuar edhe LDK-në dhe Vetëvendosjen që të bëhen pjesë e dialogut.
“Ftoj dhe opozitën të jetë pjesë e kësaj rezolute pasi ka mekanizëm ku opozita ka përgjegjësinë për dialog. Edhe VV-ja, edhe LDK-ja i kanë vendet në mesin e këtij delegacioni. Besojmë që do të fillojmë punën menjëherë dhe tashmë është çështje e formalizimit të punës së parë të ekipit. Nuk do të ecet para pa aminin e opozitës. Delegacioni shtetërorë e ka miratimin e nga Kuvendi, dhe vendimet merren nga ky dialog. Pa votën e opozitës asnjë vendim nuk do të merret”, ka thënë Sejdiu./Telegrafi